Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar sot besimtarët e krishterë dhe gjithë shqiptarët, me rastin e festës së Krishtlindjes.
Mesazhi i saj në këtë vigjilje të Krishtlindjeve, është vëllazërimi dhe paqja mes nesh.
“Në zemër të natës së ftohtë “Një fëmijë lindi për ne!” Që na ndihmon të ecim e ndërtojmë jetën duke ndarë e pakësuar dhimbjen dhe shpërndarë e shumëfishuar gëzimin. Që na mëson se Dashuria, jo urrejtja; Vëllazërimi, jo armiqsitë, Paqja, Solidariteti, jo egoizmi; Përdëllimi, jo braktisja; Lumturia, jo dëshpërimi, Pritja, jo padurimi; Shpresa, jo zhgënjimi, janë idealet që duhet të përshkojnë jetët tona.
Çfarë do të ishte bota dhe ne, pa ato? Sprovat e forta që kaloi e po përballon njerëzimi, pandemia dhe lufta që ende vazhdon, na rikujtuan sa sa të kristalta e supreme, por edhe sa të thyeshme janë këto vlera. Me frymëzimin e Krishtlindjes, ditëlindjes së vlerave që Princi i Paqes i dhuroi njerëzimit, le të sakrifikojmë përditë për to! Gëzuar Krishtlindjen! Bekime për të gjithë besimtarët dhe shqiptarët!”, shkruan Nikolla në urimin e saj.
Diskutime rreth kësaj post