Shitja e apartamenteve në Durrës nisi bazuar mbi një projekt në letër. Projekti do të realizohet nga marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe themeluesit të Emaar Group, Mohammed Alabbar. Fillimi i shitjeve po ndodh nën një klimë aspak pozitive për biznesin. Një pjesë e mediave raportuan për “shitje të ajrit”, ndërsa opozita e quan këtë një projekt “piramidë” dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të mos blejnë apartamente.
Në fakt, skema e ndërtimit të rezidencës në Durrës nuk ka ndryshim nga mënyra se si punojnë rëndom ndërtuesit shqiptarë. Sapo marrin lejen e ndërtimit, nisin shitjet e apartamenteve dhe me paratë e fituara ngrihen katet e para të pallatit. Shumë i rëndësishëm në këtë rast është profili i ndërtuesit, emri i tij, historia e investimeve. Duke njohur të shkuarën e investitorit, blerësi kupton më mirë garancitë që projekti nuk do të dës
Pikërisht për këtë, Mohammed Alabbar u prezantua si themelues dhe drejtues i Emaar Group, megjithëse kompania nuk ekziston askund në dokumentat e investimit në Durrës. Emri i kompanisë ishte garancia e investimit. Në fakt, Emaar është një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në tregun global. Projektet e saj në vendet e Lindjes qarkullojnë miliarda dollarë. Burj Khalifa në Dubai është vepra që shenjon emrin e kompanisë, por duhet thënë se jo të gjitha investimet jashtë vendit kanë qenë të suksesshme.
Një media kroate, në nëntor të këtij viti rreshtoi disa nga dështimet e Emaar. Një shkrim i gazetares Marja Bajaj, i botuar në www.24sata.hr dëshmon se emri i kompanisë Emaar nuk është garanci e suksesit dhe se skema që aplikojnë arabët për ndërtimet mund të sjellë surpriza të pakëndshme për blerësit. Shkrimi sjell projektin e Emaar në qytetin Indian të Mohali, në provincën e Punjab në Indi. Emaar bashkëpunoi me një kompani vendase dhe sipas shkrimit firmosi disa “kontrata të dyshimta” me autoritetet vendase për një rezidencë me 1670 vila.
“Por shpejt doli se sheikët – për të mbledhur para për investimin e tyre – po shesin pronat indiane (560 prej tyre!), të cilat nuk u përkasin fare. Njerëzit paguan për vilat, por nuk mund të hynin në pronën e tyre sepse të drejtat e pronësisë mbi tokën pretendoheshin nga një palë e tretë, megjithëse pushteti vendor pretendonte se gjithçka ishte rregulluar”, thuhet në shkrim.
Shkak për parregullsitë u bënë mosmarrëveshjet e kompanive vendase të ndërtimit që bashkëpunuan me arabët. Por gazetarja sjell edhe një rast tjetër kur sheikët kanë dështuar në Indi. Bëhet fjalë për një projekt të vitit 2010 që kishte të bënte me fshatin sportiv për lojërat e Komonuelthit, i cili nuk u përfundua kurrë.
“Gjithçka ishte ndërtuar aq keq ose kishte mbetur plotësisht e papërfunduar saqë Zelanda e Re, Kanadaja, Skocia dhe Irlanda Veriore iu desh të kërkonin që atletët e tyre të akomodoheshin në hotele. Më në fund, në vitin 2011, u ngrit një aktakuzë kundër Emaar MGF dhe dy kompanive të tjera simotra të lidhura me Alabar para një gjykate në Indi për krim të organizuar, konspiracion dhe mashtrim. Gazetari indian Joshua Karunakaran na tha shkurt se ky është një rast shumë i njohur në Indi. Tashmë në vitin 2012, kur u ngrit aktakuza, mediat vendase përshkruanin se sa para ishin “përvetësuar” në projekt. Në letër ai ishte një projekt i përsosur”, shkruan gazetarja kroate.
Nuk mbaron këtu. Emmar ka pasur një histori jo aq të suksesshme edhe në Pakistan.
“Në Karaçi, Alabar nisi projektin Crescent Bay në gusht 2008, si pjesë e një investimi të supozuar shumë miliarda dollarësh në Pakistan. Vendbanimi atje duhej të përfundonte në vitin 2013. Por vilat dhe apartamentet luksoze nuk u ndërtuan dhe 300 investitorë vendas paditën kompaninë e Alabarit, duke kërkuar kthimin e parave të tyre me gjithë interesin dhe një kompensim dhjetë për qind për fitimet e humbura. Kërkesa totale e dëmshpërblimit të pakistanezëve të mashtruar ishte 15.2 milionë dollarë. Ekipi nga Dubai, pra nuk kishte dhjetë milionë dollarë për projektin në Pakistan”, shkruan www.24sata.hr
Shkrimi sjell edhe eksperiencën e Alabbar në SHBA, ku ai bleu John Laing Homes, kompaninë e dytë më të madhe private të ndërtimit për 1.05 miliardë dollar në fillim të qershorit 2006.
“Megjithëse të ardhurat vjetore pritej të rriteshin në 10 miliardë dollarë deri në vitin 2011, më 19 shkurt 2009, John Laing Homes paraqiti në një gjykatë në shtetin amerikan të Delaëare nisjen e procedurave të falimentimit. Në kërkesë thuhej se humbja e kompanisë arrinte në mes gjysmë miliardë dhe një miliardë dollarë amerikanë. John Laing Homes hasi në probleme financiare në vitin 2007, përpara krizës së madhe globale”.
Nuk ka dyshimse Alabbar është një operativ kyç për bizneset e ndërtimit që drejtohen nën emrat e kompanive si Emaar Properties. Nuk ka dyshim se shumë nga projektet megallomane do të ndërtohen dhe do të përfundojnë. Por me paratë e kujt dhe me shpenzimet e kujt, kjo është një histori tjetër. Alabbar ka lindur në Dubai, më i madhi nga 12 fëmijët. Babai i tij ishte një kapiten deti, dhe në vitet shtatëdhjetë Alabar mori një bursë qeveritare dhe shkoi për të studiuar ekonomi në Seattle. Por atij i pëlqen ta rrëfejë jetën e tij sikur të ishte një histori e vërtetë orientale – magjike, plot simbole, asociacione. Sot ai tregon me krenari se si është rritur në varfëri si fëmijë dhe pohon se ishte sigurisht më i varfëri në klasën e tij. “Babai im ishte marinar, ishte pak në shtëpi, por më së shumti mësova prej tij. Si kapiten anijeje, babai im rrezikoi, ai shkoi në të panjohurën. Ai lundroi pa GPS, pa parashikim të motit, kishte piratë në det dhe ato anije ndonjëherë humbisnin. Duhet të jesh i guximshëm dhe të mësosh se si të marrësh shpejt vendime të rëndësishme dhe të mira”, tha një herë Mohammed para studentëve në Universitetin e Abu Dhabit. “Po, unë isha padyshim më i varfri në klasë – dhe jam krenar për këtë,” tha ai gjithashtu për Forbes, i cili e renditi atë në mesin e pesë njerëzve më të pasur në Lindjen e Mesme në 2018. Ai u diplomua në Seattle në 1981 me një diplomë në financë dhe administrim biznesi, por donte më shumë. Pas 25 vitesh në Abu Dhabi, ai u bë drejtor i Al Khaleej Investments në Singapor. Kapitulli më i rëndësishëm në jetën e tij të biznesit filloi në vitin 1997 kur ai themeloi një kompani që që atëherë është bërë agjencia më e madhe e pasurive të paluajtshme – Emaar Properties.
“Çohem çdo mëngjes dhe kur shoh Burj-in, mendoj: “Si nuk bëra një punë më të mirë?” Në të njëjtën kohë, nuk e di se çfarë do të ndryshoja për të”. Sot kur flet për planet e tij të biznesit thotë: “Jo, qëllimi im nuk është Amerika, sepse punët në Afrikë ma kthejnë më shpejt investimin”. Aty Mohammad Alabbar hapi kompani që kanë miniera dhe sot ai është një nga njerëzit më të fuqishëm në këtë biznes në Lindjen e Mesme. Kompanitë e tij janë ende të përfshira në ndërtim dhe aktualisht operojnë në 14 vende, duke përfshirë Indinë, Marokun, Serbinë dhe Turqinë. Filozofia e biznesit të Alabar-it, të paktën në një nivel deklarativ, është e thjeshtë: “Personalisht, gjithmonë dua të punoj në rrokaqiellin më të madh dhe më të lartë, por gjithashtu dua të fitoj sa më shumë që të jetë e mundur. Nëse dështoj ta bëj këtë, humb punën time. Por nëse dikush dëshiron të ndërtojë një ndërtesë më të madhe dhe më të lartë se Burj Khalifa, unë do të dërgoj ekipin tim të njerëzve për ta ndihmuar atë të shmangë gabimet me të cilat u përballëm ne. Kjo ndodhi me përgatitjet për ndërtimin e kullës mbretërore në Arabinë Saudite. Ekipi im shkoi atje dhe përfundoi projektimin. Ne ndamë përvojën tonë dhe u thamë se ku gabuam. Nëse dikush dëshiron të ndërtojë diçka më të madhe se unë, unë do të festoj suksesin e tyre. Sepse vetëm kjo do të më bëjë të mendoj diçka edhe më të madhe dhe të vazhdoj të argëtohem”. Nga ana tjetër, ata që e njohin mirë biznesin e tij, thonë se receta e Alabarit është shumë më e thjeshtë: “Ai nuk shpenzon kurrë paratë e tij”./lapsi
Diskutime rreth kësaj post