Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit drejtues të Diasporës është ndalur te emigracioni dhe te avantazhet që ky fenomen ka sjellë ne vendin tonë.
Rama foli edhe për përfitimet që ka sjellë teknologjia për integrimin e emigrantëve shqiptarë në fusha të ndryshme si mësimdhënia apo mjekësia, pa qenë e nevojshme prania e tyre fizike në Shqipëri.
“Akademia e Shkencave është një shembull i vogël, por shumë kuptimplotë. Se pavarësisht vendndodhjes gjeografike, mbledhja e burimeve njerëzore në rezervuarin e teknologjisë mund të krijojë kushte në të cilat njerëzit janë bashkë, adresojnë së bashku një sfidë dhe bëjnë se bashku punë. Akademia e Shkencave sot ka një departament të tërë që funksionon me akademik të nivelit të lartë që janë në vende të ndryshme të botës dhe që nuk kanë nevojë fare të vijnë në zyrën mëngjes në Tiranë, por janë secili në punët e tyre dhe ndërkohë janë dhe anëtarë dhe kontributorë të Akademisë së Shkencave. Akademia e Shkencave ka anëtarë të rinj sot të cilët nuk janë fare në Shqipëri dhe të cilët janë pjesë e Akademisë së Shkencave. Po këtë mund ta ketë çdo universitet në Shqipëri, çdo universitet në katedrat e veta mund të ketë pedagogë shqiptarë të cilët janë pedagogë në universitetet më të mira të botës. Për çfarë arsye në botë, nëse ne kemi bord të akreditimit të cilësisë së universiteteve që është i përbërë nga akademik që janë jashtë e funksionon më së miri, ne nuk kemi pse mos të kemi pedagog shqiptarë që kontribuojnë në universitetet më të mira të botës dhe që janë edhe në universitetet tona pedagog, që kanë klasat e tyre dhe që paguhen nga ne dhe që paguhen më mirë, patjetër. Ne po bëjmë përpjekje, por ky është një mur i madh paragjykimesh që ia krijojmë vetes para gjërave të reja, për të pasur nëpunës digjital, që janë në vende të tjera dhe që punojnë në administratën tonë po ashtu, nuk kanë nevojë të paraqiten në administratën tonë në orën 7:00. Po kështu me mjekët, nuk kemi pse mos të kemi në të gjitha spitalet e Shqipërisë mjekë shqiptar që janë në vende të tjera dhe që janë edhe në spitalin e Gjrokastrës, apo spitalit të Kukësit, apo spitalit të Lezhës dhe mund ta bëjnë fare mirë punën e tyre në spital përmes telemedicinës”-tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post