Analisti Andi Bushati thotë se nuk pritej që Altin Dumani, të zgjidhej kreu i ri i SPAK-ut, në bazë të informacioneve që ai dispononte.
Në një intervistë për Euronews Albania, Bushati u shpreh se burime nga brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), i thanë se diçka ndryshoi në momentin kur ambasadorja amerikane, Yuri Kim mbërriti para votimit për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme.
“Jo, në fakt nga të gjithë informacionet që unë kisha, pritej që, për ta thënë edhe në gjuhën popullore siç është komentuar dhe këto ditë, që pritej të fitonte ai që më shumë donte mazhoranca, qeveria dhe Edi Rama, jo i preferuari i amabsadores Kim për të cilin ajo bëri luftë.
Nga burimet që unë kisha brenda KLP-së, më thanë, nuk e di sa është e besueshme, që diçka ndryshoi në momentin që ambasadorja amerikane shkoi vetë personalisht atje, përpara se të bëhej votimi. Komenti që mora nga njerëzit që ishin të pranishëm aty, ishte, gjysmës së këtyre u ndryshoi menjëherë fytyra. Pra, mund të ketë qenë ajo një pikë që ka ndryshuar rrjedhjen e ngjarjeve”, theksoi ai.
Diskutime rreth kësaj post