Guvernatori i Floridës po merr epërsi të madhe ndaj ish-presidentit Donald Trump në garën e Republikanëve në zgjedhjet e vitit 2024 për President të SHBA-ve.
Në një sondazh për kandidatët e mundshëm Republikanë për president në vitin 2024, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, udhëhoqi me 23 pikë para Donald Trumpit.
Votuesit republikanë dhe ata me prirje republikane i dhanë goditjen e rëndësishme egos së ish-presidentit amerikanë, shkroi të mërkurën “The Guardian”, duke ju referuar këtij sondazhi të kryer nga USA Today dhe Universiteti Suffolk, i publikuar të martën.
Megjithatë, një tjetër sondazh që mbulonte të njëjtën periudhë kohore, nga “Morning Consult”, i dha Trumpit një epërsi prej 18 pikësh ndaj DeSantis. Edhe uebfaqja e sondazheve “FiveThirtyEight” ende e tregon Trumpin në kryesim në shumicën e sondazheve.
David Paleologos, drejtor i Qendrës së Kërkimeve Politike të Universitetit Suffolk, i tha USA Today se “Republikanët dhe të pavarurit konservatorë po e duan gjithnjë e më shumë Trumpizmin pa Trumpin”.
Kjo sipas të përditshmes britanike tregohet qartë në ngritjen e DeSantis, një ish-avokat ushtarak amerikan dhe kongresmen i së djathtës ekstreme, i cili ka ndjekur politika të vijës së ashpër dhe “teatralisht” mizore si guvernator i Floridës, veçanërisht mbi emigracionin dhe arsimin.
Muajin e kaluar, DeSantis shënoi fitoren e rizgjedhjes me një fjalim vetëbesues, me moton e tij “aty ku paragjykimet vdesin” dhe nën brohoritjet “edhe dy vite”.
Trump shpalli kandidaturën e tij për herë të tretë për President të SHBA’ve, menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Trump është gjithashtu në një rrezik për përballje me ligjin amerikan, për tentativën e tij për përmbysjen e zgjedhjeve të 2020’ës dhe nxjerrjen e të dhënave nga Shtëpia Bardhë dhe çështjet tjera të biznesit të tij.
USA Today raporton se sondazhi i tyre tregoi se mes votuesve republikanë dhe me prirje republikane, entuziazmi për një tjetër kandidim të Trump po zvogëlohet.
“Në korrik, 60% e republikanëve donin që Trump të kandidonte përsëri. Në tetor, ky numër kishte rënë në 56%. Tani ka rënë në 47%, një ndarje pothuajse e barabartë me 45% që nuk duan që ai të kandidojë për herë të tretë.”
Sondazhi e paraqet Presidentin Joe Biden para me 47%-40%, në rast të një revanshi me Trumpin.
Biden është 80 vjeç, Trump 76. Presidenti Biden ka deklaruar se gjatë Krishtëlindjeve do të vendosë nëse do të kandidojë sërish për të parin e SHBA’ve.
Derisa i njëjti sondazhi DeSantis, 44 vjeç, e paraqet përpara Bidenit në 47%-43%.
Diskutime rreth kësaj post