Një stuhi masive, me erëra të dhunshme në të gjithë Shtetet e Bashkuara, ka shkaktuar kaos në disa pjesë të Oklahomës dhe Teksasit përfshirë zonën Dallas-Fort Worth, duke sjellë me vete edhe tornado.
Rajonet qendrore të vendit nga Malet Rocky, përgatiten të përballen edhe për reshje të dendura bore.
Dëborë parashikohet të mbulojë zonën që shtrihet nga Montana deri në perëndim të Nebraskës dhe Kolorados, e në disa rajone trashësia e saj mendohet se do të mbërrijë deri në 60 centimetra. Shi dhe akull parashikohet në rrafshinat lindore.
Tornadot sakaq sipas zyrtarëve kanë shkaktuar dëme të mëdha në Wayne të Oklahomës. Meteorologët vendas e kanë përllogaritur shpejtësinë e erës atje në 211 kilometra në orë.
Stuhia shkaktoi tornado, breshër dhe shira të rrëmbyer në veri të Teksasit, ku u njoftua për disa të plagosur, si dhe për dëme të mëdha të shkaktuara mjaft shtëpive e bizneseve.
Ekspertët e motit paralajmërojnë se në disa pjesë të shteteve Iowa, Minnesota dhe Dakotën e Jugut mund të formohen shtresa akulli deri 2.5 centimetra. Stuhia nuk pritet të përfundojë shpejt, por do të vazhdojë të zgjerohet duke prekur shtetet e Luizianes, Misisipit, Alabames e disa pjesë të Floridës.
Diskutime rreth kësaj post