Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një deklaratë për mediat u shpreh se forca politike i cili ai drejton mbështet plotësisht rekomandimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë.
Meta ka kërkuar transparencë të borxheve, pasi Shqipëria është vendosur në listën e vendeve për pastrim parash.
“Mbështes fuqimisht edhe thirrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar në deklaratën e fundit e Bordit të Drejtorëve drejtuar Qeverisë shqiptare për nevojën e publikimit të kontratave të prokurimit publik që kanë të bëjnë me pandeminë dhe shpenzimet për rikuperimin e tërmetit, emrat e kompanive që kanë fituar kontratat dhe pronarët e tyre përfitues.
Është e domosdoshme që pa vonesë qeveria të bëjë transparente para shqiptarëve përdorimin e fondeve për më tepër kur jemi para fakteve tronditëse që ende tre vite pas tërmetit të vitit 2019, për shkak të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë, ende sot ka familje që nuk janë futur në shtëpitë e tyre dhe janë braktisur nga shteti, ndërkohë që problematika të shumta janë vërejtur edhe me ndërtimet jo cilësore ku janë strehuar të prekurit. Si asnjëherë tjetër, raporti i fundit i Fondit Monetar për Shqipërinë (FMN), i ka kushtuar vëmendje të lartë edhe ndërtimit dhe tregut të pasurive të paluajtshme, duke paralajmëruar rreziqet që mund të ketë një kthesë në rënie në ecurinë e çmimeve dhe implikimet për sektorin financiar e bankar.
Mbështes plotësisht shqetësimin e FMN mbi rëndësinë e rritjes së vigjilencës ndaj stabilitetit financiar të politikëbërësve, duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të kredisë dhe të aktiviteteve të pasurive të paluajtshme. Mbështesim plotësisht rekomandimin e FMN për adresimin e mangësive të rëndësishme të të dhënave për pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimet, si dhe për nevojën e garantimit të një mbikëqyrje të zgjeruar të ndikimit të këtij sektori në stabilitetin financiar. Është e domosdoshme ndërmarja e masave të menjëhershme drastike për të dalë nga lista gri e pastrimit të parave, ku Shqipëria është futur nga FATF (mekanizimi i Komisionit Europian për parandalimin e pastrimit të parave), veçanërisht në kushtet kur kullat në Tiranë, sikundër është bërë publike edhe nga denoncimet e mediave ndërkombëtare, janë kthyer në lavatriçen e pastrimit të parave të pista”,tha Meta.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vuri alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqesin kontratat koncesionare (PPP) në ekonominë shqiptare dhe kryesisht në stabilitetin fiskal.
Diskutime rreth kësaj post