Ambasadorja e Greqisë në vendin tonë, Konstantina Kamitsi, ka vizituar ditën e sotme qytetin e Korçës.
Gazetarja Lorena Kodra raporton se ambasadorja foli mes të tjerash edhe mbi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë mbi kufirin detar.
“Dy ditë më parë janë takuar të dy kryeministrat, të Shqipërisë dhe Greqisë dhe të dy kanë shprehur dëshirën për të bashkëpunuar sa më shpejt të jetë e mundur, që do të thotë të përparohet me procedura, sipas asaj që legjislacioni shqiptar parashikon, në mënyrë që të vendoset për çështje të tilla si ndarja e detit dhe kufijtë detarë”, tha ajo.
Më tej ambasadorja është pyetur nga gazetarët në lidhje me mbylljen e doganës nga pala greke, situatë kjo e përvitshme kur afrohen festat e fundvitit.
“Miqësia është diçka për të cilën punojmë edhe unë edhe nga Greqia. Punojmë për funksionimin sa më të mirë të punës në dogana dhe shpresoj që çdo gjë do ecë në hapat e duhur. Faleminderit që më informoni. Do e shohim me doganat cili është problemi për këtë çështje dhe unë shpresoj që miqtë tanë shqiptarë mos kenë probleme me doganën. Do e shohim me përparësi”, ka deklaruar ajo.
Diskutime rreth kësaj post