Mjeku Ilir Alimehmeti, kandidati në primaret e PD për Tiranën ka dhënë shpjegimet e tij për tërheqjen nga balotazhi. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” ai tha se është bërë një analizë përpara vendimit.
“Edhe unë e kam bërë analizën. Kur bëjmë një kalkulim… Rreth 48% në total ishin për zotin Këlliçi. Diçka më pak se 26% ishin për mua” – tha Alimehmeti.
I pyetur se pse nuk tentoi të bindte edhe mbështetësit e Gerti Bogdanit për të fituar garën, ai dha këtë sqarim.
“Aty kemi të bëjmë me një balotazh matematikor të padiskutueshëm. Por, në analizën dhe gjykimin tim dhe të stafit tim, aty nuk ka një balotazh politik. Ju merrni të mirëqenë që do të vijë po e njëjta popullatë në votime, që nuk është. Merrni të mirëqenë që votat e zotit Bogdani, do të kalonin të gjitha te unë. Edhe sikur kjo të ndodhte do të duheshin edhe të tjera” – tha mjeku.
Ai u pyet edhe nëse do të pranojë të jetë nënkryetar i bashkisë nëse Këlliçi merr bashkinë e Tiranës.
“Duhet të mendojmë tani nga koha në kohë. Zoti Këlliçi i pari. Duhet të fitojmë Bashkinë e Tiranës. Këtu nuk ka asnjë lloj diskutimi, në momentet e duhura do të bëjmë diskutimet e duhura. Ky moment ishte për të treguar se nuk kemi krisje me njëri-tjetrin.
Unë shkova për kryetar bashkie në Primare. Unë kam thënë qartë se do të ndihmoj çdo kandidat pa asnjë fije interesi. Mos të ngatërrojmë sondazhet me rezultatet e Primareve. Sondazhet kanë problematika se shumë mund të mos jenë farë në Tiranë. Sondazhi është popullatë në tërësi, ditën e votimit erdhën 8 mijë vota” – tha Alimehmeti.
Diskutime rreth kësaj post