Kryeministri Edi Rama ka publikuar fjalë e plotë të mirëseardhjes në Samitin e BE që i mbajt ditën e djeshme në Tiranë.
Rama para liderëve është shprehur i lumtur dhe e ka quajtur ditë historike samitin që është mbajtur në Bashkimin Europain.
“Duke zgjedhur Shqipërinë për këtë Samit të Parë të Bashkimit Europian jashtë Bashkimit Europian, ju na e keni nderuar shtëpinë tonë me praninë më të rëndësishme të miqve në historinë e saj. Kurrë më parë nuk na kishte dërguar Zoti në derë një të tillë numër të madh personalitetesh historike të një kohe, duke na sfiduar edhe me detyrën e të pasurit gati më shumë se 27 jetë tonat, për të mbrojtur tuajat deri në fund. Por ne ju jemi thellësisht mirënjohës si për këtë sfidë, ashtu edhe për besimin realisht prekës që na dhatë” ka thënë Rama ndër të tjera.
Fjala e plotë e Ramës:
“FJALA E MIRËSEARDHJES NË SAMIT
Kolegë të nderuar,
Të dashur miq,
Një nga normat më të rëndësishme të Kanunit shqiptar – Kodi ynë i parë i shkruar – thotë “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Zoti u dëbua nga Shqipëria prej një regjimi komunist, i cili e ktheu këtë vend në Korenë e Veriut të Europës dhe në të parin e të vetmin shtet në botë, që e sanksionoi ateizmin në kushtetutë.
Përkushtimi ndaj mikpritjes mbeti megjithatë i shenjtë edhe gjatë atyre kohëve të vështira, paçka se ishim aq të izoluar, sa nuk na trokiste ndonjë mik i huaj në derë. Ka qenë një rrugë e gjatë dhe e mundimshme ajo që na e hapi më në fund derën, për të mirëpritur sërish në shtëpinë tonë Zotin dhe miqtë nga jashtë. Por kjo e sotmja është tejet, tejet e veçantë, nuk krahasohet dot me asgjë, sepse ju jeni miqtë që shqiptarët i shohin edhe si perëndi: perënditë e BE-së.
Për herë të parë në histori një samit i BE-së me Ballkanin Perëndimor organizohet jashtë kufijve të Bashkimit Europian. Ky është një sinjal i fortë e i qartë, jo vetëm për rëndësinë thelbësore gjeopolitike që ka ky rajon për stabilitetin dhe sigurinë e Europës, por edhe për nivelin e lartë të ndërgjegjësimit mbi faktin se BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në.
E meqë jemi te çështja e mikut, Zotit dhe besimit, nuk mund të kishte zgjedhje më të mirë se sa Shqipëria për t’u mbledhur, në këtë moment të veçantë të historisë së Europës. Për shqiptarët Europa është si një lloj feje. Sipas orakullit të Brukselit, barometrit të BE-së, ky ku keni ardhur sot është vendi më proeuropian i kontinentit tonë. Ja pse bëhet edhe aq dëshpëruese për ne, kur shohim që BE-së i mungon besimi te vetja. Besonani ju lutem kur ju themi se duhet t’i besoni vetes suaj, po aq sa ne ju besojmë juve.
Këtu, në këtë rajon, kurrë nuk e kemi ndjerë Bashkimin Europian më pranë, më të bashkuar rreth flamurit të tij frymëzues, se sa këto dy vitet e fundit dhe, veçanërisht, qysh prej agresionit mbi Ukrainën. Nuk ka pasur kurrë më parë, asnjë President të Këshillit Europian dhe as të Komisionit Europian, që të ketë shfaqur ndaj rajonit tonë interesin e mirëfilltë, durimin e palëkundur dhe gatishmërinë e admirueshme për të luftuar për ne, sa Charles Michel dhe Ursula von der Leyen. “Shumë faleminderit” [në shqipe] që do të thotë falemnderit shumë për të dy! Një falënderim i madh edhe për Komisionerin tonë – nuk mund ta thërras në asnjë mënyrë tjetër – Oliver Varheley! Ai ka dhënë prova bindëse se është përkthyesi më i mirë i mundshëm, mes grupit rokendrroll të Ballkanit Perëndimor dhe orkestrës sinfonike të Komisionit Europian.
Edhe kur kemi qenë të zhgënjyer nga BE-ja dhe, madje, edhe kur kemi prekur qoshen e vetmisë sonë mu këtu, në mes të Europës, ne nuk kemi rreshtur së besuari. Kemi vuajtur, jemi zemëruar e jemi brengosur, por nuk e kemi humbur besimin. Asnjëherë. Jo sepse ne shqiptarët jemi naivë. Por sepse ne vijmë nga një ferr prej vërteti – jo si ai i francezëve, i cili është një parajsë që ata e quajnë ferr. Sepse ne e njohim çmimin e izolimit. Sepse ne e dimë çfarë ndodh kur vendet humbasin besimin në projektet e përbashkëta, kur e shohin bashkëpunimin midis kombeve si kërcënim e jo si mundësi, kur frika nga të tjerët e mund arsyen e bashkimit me të tjerët. E shkuara e Shqipërisë është një paralajmërim i hershëm për të ardhmen e përbashkët të Europës.
U desh një luftë në oborrin e pasëm të Europës, për të parë një rigjallërim mbresëlënës të Bashkimit Europian. Shpresoj që kjo BE-ja e sotme, jo vetëm të jetë rigjallëruar për të mos u rikthyer më në hijen e tkurrur të vetvetes, por edhe që të ketë mësuar prej dështimeve të shkuara, për t’u bërë më e fortë, më e guximshme dhe më largpamëse.
Ne jo vetëm duhet të mos e harrojmë asnjëherë, por duhet të gjejmë bashkarisht mënyrën më efikase, për t’ua shpjeguar të gjithë bashkëqytetarëve tanë, se lufta e Vladimir Putinit nuk ka për qëllim thjesht e vetëm pushtimin e Ukrainës, por gjunjëzimin e të gjithë bashkësisë sonë perëndimore.
Ndërsa jemi dëshmitarë çdo ditë të pasojave tmerruese të agresionit rus, nuk është aspak herët për të projektuar një rilindje gjithëpërfshirëse të të kontinentit tonë. Kjo jo vetëm është koha për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit të BE-së dhe ndërtimin e Komunitetit të ri Politik Europian, por edhe për të menduar për një Plan Rilindjeje për Europën. Kjo është koha për të kujtuar atë çka na mësuan etërit themelues të Europës së Bashkuar, pasi i mbijetuan katastrofës së Luftës së Dytë Botërore: kushti për të ndërtuar një paqe afatgjatë dhe të begatë është të përgatitesh për të që në luftë.
Paqja nuk ndodh me urdhër dhe as nuk zgjat, nëse nuk krijohen rrugë e institucione të përshtatshme për ruajtjen e saj. Historia ka shumë shembuj për këtë. Më lejoni të sjell këtu më të njohurin: gjatë Luftës së Parë Botërore, nuk u bë asnjë përpjekje për të përgatitur një Europë të re dhe të ekuilibruar. Për pasojë, çdo gjë përfundoi vetëm në një çështje ndëshkimi e hakmarrjeje, kundër Gjermanisë dhe aleatëve të saj; edhe negociatorët më mendjekthjellët të Traktatit të Versajës, nuk mundën të parandalonin që ai traktat dhe përpjekje të tjera në vitet ‘20 të shekullit të shkuar, të shkaktonin atë që ca më tutje shpërtheu si Luftë e Dytë Botërore.
Ndoshta, për shkak të mësimit të hidhur të mosparandalimit të një tjetër lufte, bash si pasojë e mospërgatitjes në periudhën e asaj të mëparshmes, mu në mes të Luftës së Dytë nisën bisedime të hatashme midis aleatëve, rreth asaj që duhej bërë për një paqe të qëndrueshme. Në mars të vitit 1941, u hap një “program huamarrjeje dhe huadhënieje”, me anë të të cilit ShBA-ja i siguronte armë Mbretërisë së Bashkuar dhe, menjëherë më pas, nisën edhe bisedime të tjera lidhur me arkitekturën e botës së pasluftës, të cilat krijuan kuadrin për bashkëpunimin dhe rindërtimin ekonomik ndërkombëtar me të mbaruar lufta. Thuhet se bisedimet ishin shumë të vështira dhe, kur negociatorët britanikë, të udhëhequr nga John Maynard Keynes, ishin shumë kërkues, negociatorët amerikanë ngadalësonin anijet që sillnin armët në Mbretërinë e Bashkuar!
Në korrik të vitit 1944 – një vit përpara përfundimit të Luftës së Dytë Botërore – delegatët nga 44 vende u takuan për “Konferencën Monetare dhe Financiare të Kombeve të Bashkuara” dhe të gjithë e dini vazhdimin e kësaj historie. Sigurisht, institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtare që lindën nga ai proces, nuk e shëruan dhimbjen dhe pikëllimin për miliona jetët e humbura gjatë asaj lufte, por ato ndihmuan aq shumë për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm paqeje për afro 50 vjet, për shumë vende (jo për vendin tim, as ata nën sundimin sovjetik) – më pas edhe për rreth 30 vjet të tjera për të gjithë ne bashkë këtu, ku shumëkush deri para ca muajsh kujtonte se paqja ishte e përjetshme.
A nuk është vallë koha që Bashkimi Europian, të marrë lidershipin për të përgatitur bashkë me aleatët e vet natyrisht, jo vetëm një plan për rindërtimin e Ukrainës, por një program të prekshëm Ripërtëritjeje Europiane për krejt kontinentin tonë(?); një plan që do t’i bënte qytetarët e Europës të kishin sërish ëndrra dhe shpresa të mëdha, në vend se gjithnjë e më shumë të kërkojnë strehë ku zë struken në të shkuarën, për t’u mbrojtur nga makthet e së ardhmes?
Natyrisht, ky plan duhet të jetë i dukshëm për qytetarët e të gjitha kombeve të Europës, përfshi edhe ata të Rusisë. Rusët duhet ta dinë, se vendi i tyre ka po ashtu të drejtën t’i bashkohet rrugës së ripërtëritjes europiane, sapo shteti rus ta pranojë nevojën për një paqe të qëndrueshme me fqinjët, ku secili të jetojë i patrazuar në kufijtë e vet të njohur ndërkombëtarisht.
Shumë njerëz besojnë, se i vetmi rindërtim i nevojshëm pas kësaj lufte është ai i Ukrainës. Por kontinenti ynë ka më shumë sesa një Ukrainë, që fle si minë në truallin e vet. I ka pasur përherë këto mina nën vete dhe e vetmja gjë, që do të parandalonte me siguri katastrofa të tjera, është ripërtëritja e besimit të njerëzve tek Europa e tek fuqia e saj për ta projektuar veten në të ardhmen, si një hapësirë ëndrrash e shpresash të mundura për të gjithë.
Afërmendsh Ballkani Perëndimor – dikur i quajtur fuçia e barutit e Europës – duhet të jetë në krye të përparësive të një plani europian ripërtëritjeje. Le të mos harrojmë se armiku ynë më i madh i përbashkët, i cili vazhdon të rritet përpara syve tanë nuk quhet Vladimir Putin, por Ndryshimi i Klimës.
Kështu që, teksa i mbajmë sytë nga Ukraina, është me rëndësi të kuptojmë se një rindërtim i qëndrueshëm i Ukrainës, presupozon edhe krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm paqeje e prosperiteti për një rajon shumë më të gjerë, ku ende gëlojnë shumë varësi të padëshiruara. Në njëfarë mënyre, Ukraina sot është vetëm plaga më e madhe dhe e dukshme, e një organizmi të tërë të prekur nga një sëmundje e rrezikshme. Është në interesin e botës dhe, veçanërisht, në interesin strategjik të Bashkimit Europian, që t’i lidhë të gjitha vendet e këtij rajoni të gjerë me rrjetën e sigurtë të sistemeve të Bashkimit Europian dhe ta bëjë këtë sa më shpejt të jetë e mundur.
Nuk ka dyshim se një sërë elementesh të një plani kësisoj janë tanimë në lëvizje. Disa institucione ekzistuese mund të luajnë një rol thelbësor për ekzekutimin e tij. Disa syresh po përgatisin pjesë të qenësishme të tij. Por po sikur të krijohej një grup i gjerë pune, i cili të mblidhte bashkë ekspertë të të gjitha institucioneve të specializuara, nën një udhëheqje të urtësh, për të prodhuar një raport konkret (cilat programe, projekte, financime, agjenda?..) qysh në pranverën që vjen dhe të cilin pastaj, t’ia paraqiste BE-së si edhe Samitit të ardhshëm të Komunitetit të ri Politik Europian, në Moldavi?
Takimi ynë në Pragë për të reflektuar mbi propozimin e një Komuniteti të ri Politik Europian ishte gjallërues dhe inkurajues. Është koha të hedhim më shumë hapa konkrete në këtë drejtim dhe, ndoshta, të marrim në konsideratë lidhjen e këtyre dy organizmave, Bashkimit Europian dhe Komunitetit të ri Politik Europian, me këtë masterplan për ripërtëritjen e Europës, ku nevojitet edhe një përfshirje e gjithanshme e sektorit privat.
Më lejoni të ndalem këtu dhe të mos rrezikoj të ngjaj më tutje, sikur po qaj për kodin përpara një bankomati. Bëra më të mirën, për të mos abuzuar me rolin tim kaq shumë të veçantë të mikpritësit sot dhe u përpoqa t’i shmangem asaj, që ne të kësaj nahijeje të botës, dimë ta bëjmë symbyllur: të fajësojmë e të ankohemi, sidomos nëse kemi rastin t’u qahemi Fuqive të Mëdha. Ama ju siguroj se po të kishte shkuar Shqipëria të takonte Fuqitë e Mëdha, në vend që Fuqitë e Mëdha të vinin të takoheshin në Shqipëri, toni im do të kishte qenë shumë ndryshe. Ju nuk se s’e dini këtë apo jo?
Por, siç e thashë në krye të herës, sipas Kodit tonë të vjetër, shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit. Kodi e bën shumë të qartë, se brenda kufijve të territorit të shtëpisë miku duhet trajtuar si Zot dhe duhet mbrojtur, deri edhe me jetë nëse është nevoja. Dhe ja kështu, të dashur miqtë e mi, mirë se të rrini si zotër në këtë shtëpi dhe të jeni të sigurt, se ne do ta jepnim edhe jetën për ju nëse do të duhej, megjithëse jam shpresëplotë se nuk do të jetë e nevojshme.
Duke zgjedhur Shqipërinë për këtë Samit të Parë të Bashkimit Europian jashtë Bashkimit Europian, ju na e keni nderuar shtëpinë tonë me praninë më të rëndësishme të miqve në historinë e saj. Kurrë më parë nuk na kishte dërguar Zoti në derë një të tillë numër të madh personalitetesh historike të një kohe, duke na sfiduar edhe me detyrën e të pasurit gati më shumë se 27 jetë tonat, për të mbrojtur tuajat deri në fund. Por ne ju jemi thellësisht mirënjohës si për këtë sfidë, ashtu edhe për besimin realisht prekës që na dhatë.
Nuk ju falënderoj dot mjaftueshëm të gjithëve ju, që kaq shumë e lumturuat sot shtëpinë e shqiptarit, por ama edhe ju, të dashur miq, duhet të jeni shumë të lumtur për shtëpinë e Europës së Bashkuar, pasi siç vinte në dukje europiania e parë në jetën time që më ka folur për marrëdhëniet e fqinjësisë, teksa hidhja hapat e mi të parë jashtë shtëpisë, gjyshja ime e dashur: “Fqinj të lumtur, shtëpi e lumtur”.
Ju falemnderit”-tha ai.
Diskutime rreth kësaj post