Konfindustria ka kritikuar vendimet e ndërmarra nga Bordi i Transparencës për çmimin e karburanteve, duke theksuar se çmimi aktual për naftën duhet të ishte të pakën nën nivelin e 200 lekëve për litër, duke marrë parasysh edhe vlerën në tregjet botërore.
Në reagimin e bërë nga Konfindustria, thuhet se çmimet janë më të lartat në rajon dhe se kanë pasoja shkatërrimtare për biznesin, qytetarët dhe ekonominë kombëtare.
“Konfindustria shpreh shqetësimin e përsëritur për mënyrën e vendimarrjeve të Bordit të Karburanteve, qartësisht në kundërshtim me interesin publik me çmimet më të larta në Rajon dhe kahjet e dukshme rënëse të tregjeve botërore. Çmimet e larta krahësimore dhe absolute të karburanteve janë me pasoja afatgjata shkatërrimtare për biznesin, qytetarët, ekonominë kombëtare si dhe nxisin kontrabandën masive, që mund të shkojë në mbi 300 milion euro/vit.
Shembull i qartë për sa më sipër janë vendimarrjet e javës së parë të muajit dhjetor 2022. Duke vlerësuar krahësimisht çmimet e tregjeve botërore me periudhën e fillimvitit, sot produkti “naftë” duhet të ishte të paktën nën nivelin e 200 lekë/litër nga 209 lekë/litër të vendosur nga Bordi”-thuhet në reagimin e bërë nga Konfindustria.
Sipas Konfindustrisë, ajo çfarë bie në sy është reagimi i menjëhershëm i Bordit të Transparencës në rastin e rritjes së çmimit në tregjet botërore duke e rritur menjëherë, ndërsa në rastin kur kishte ulje, kishte tejzgjatje në kohë për të marrë një vendim.
“Bien në sy vendimarrjet e menjëhershme të Bordit në rast të rritjes së çmimeve të karburanteve në tregjet botërore dhe tejzgjatja në kohë në rastin e rënies. Gjithashtu, rritjet e çmimeve në vlerë absolute janë shumë më të forta, sesa uljet përkatëse. Konkretisht, në vendimarrjet e fundit brenda dy ditësh Bordi rrit fillimisht çmimin e “naftës” me 8 lekë/litër dhe e uli me 5 lekë/ litër me rritje përfundimtare me 3 lekë/litër. Ndërkohë, çmimet e tregjeve botërore dhe rajonale janë në ulje të qartë.
Konfindustria ka kërkuar themelimin e Entit Rregullator të Karburanteve në varësi të Kuvendit të Shqipërisë dhe me përbërje të profesionistëve. Bordi i Karburanteve ka në përbërje antarë me konflikt të qartë interesi. Gjysma e antarëve vendimarrës janë pikërisht përfaqësues të subjekteve, që duhet të jene objekt kontrolli”-shtohet në reagim.
Dy ditë më parë, Bordi i Transparencës përcaktoi çmimet e reja ku kishte një ulje prej 5 lekësh për çmimin e naftës dhe 8 lekësh për çmimin e benzinës. Nga 3 dhjetori, nafta tregtohet me 209 lekë/litri nga 214 që ishte më parë. Ndërsa benzina shitet me 187 lekë/litri nga 195 lekë/litri që ishte. Çmimi i gazit nuk ka ndryshuar. Këto çmime mbeten në fuqi deri në mbledhjen e rradhës të Bordit të Transparencës.
Diskutime rreth kësaj post