Askush nuk ka asnjë dyshim se pas hakmarrjes kundër bizneseve të botuesit Irfan Hysenbelliu qëndron Edi Rama, por, ndryshe nga hamendësimet një gjë të tillë e vërtetojnë edhe shkresat dhe dokumentat.
Lapsi.al ka arritur të sigurojë Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit që mban firmën e kryeministrit, ku Prestige Resort renditet mes 24 aplikimeve leja e te cilëve do të anullohet.
Pra nëse më datë 7 mars 2016, vetë shefi i ekzekutivit që atëherë ishte në mardhënie të shkëlqyera me bosin e mediave dhe me televizionin e gazetat e tij, i dha atij një leje në kundërshtim me të gjitha karakteristikat e asaj zone të Golemit, gjashtë vite e gjysëm më pas, në 19 tetor 2022, e ka anulluar atë.
Madje me kënaqësinë e atij që i përdor fadromat – po të huazojmë një shprehje të Fatos Lubonjës-, “si një kompensim të ereksionit të munguar”, kryeministri e ka firmosur vetë vendimin.
Mediat e Hysenbellut, kanë publikuar gjatë orëve të prishjes një dokument të vitit 2017, ku drejtoresha që është urdhëruar ta prishë sot, e njihte si të ligjshëm objektin (poshte).
Por kjo ka pak rëndësi.
Se në këtë pikë thelbi nuk qëndron nëse objektit i ishte anulluar leja, apo ai e gëzonte atë.
Pra problemi nuk është thjeshtë juridik.
Sepse po të besojmë për një moment se shefi i qeverisë ka të drejtë, pra se ndërtuesi nuk kishte zbatuar kushtet e lejes, pasi për atë investim mbi 20 milionë euro, nuk kishte paguar disa mijra euro taksa, pra edhe po ta marrim këtë të mirqenë, sërish ngrihet pyetja: Pse qeveria nuk e sekuestroi për ta përdorur për interes publik?
A qe më mirë që fadromat të bënin pluhur gjithë atë investim, apo ndoshta ia vlente që, nëse e merrte shteti, t’a shndërronte në një azil, në një pronë publike apo në diçka të dobishme?
Natyrisht nuk u veprua kështu pasi nëse ndiqej kjo logjikë do ti mbetej në dorë gjykatës që s’dihet nëse do i jepte të drejtë apo jo qeverisë.
Vendimi duhej marrë arbitrar, arrogant dhe i menjëhershëm.
Qëllimi i tij ishte të bënte shembull një botues për të friksuar dhe ndrydhur të tjerët.
Prandaj Rama firmosi vetë për anullimin e lejes.
Dhe zgjodhi fadromat në vend të asaj që duket e arsyeshme.
Diskutime rreth kësaj post