Një ngjarje e dhimbshme ka ndodhur në Kosovë gjatë një ndeshje futbolli, ku talenti 17-vjeçar i Trepçës 89, Erion Kajtazi ka ndërruar jetë në fushën e lojës.
Djaloshi ka rënë papritur në fushën e lojës, duke ngjallur panik për të gjithë të pranishmit.
Lajmi është konfirmuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, Trepça ‘89 dhe Emergjenca e Spitalit të Prizrenit.
Kajtazi, që veshi edhe fanellën e Përfaqësueses së Kosovës U17, gjatë ndeshjes kundër A&N në Prizren ra në tokë pa vetëdije.
Siç ka njoftuar FFK-ja, mjekët e të dyja skuadrave bën përpjekje maksimale për t’i shpëtuar jetën talentit 16-vjeçar, por ishte e pamundur.
Reagim emocional pati klubi ku luante Kajtazi.
Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, është shprehur i shokuar me humbjen e 17-vjeçarit.
Zeka ndër të tjera, shkroi se po planifikonin transferimin e Kajtazit në Evropë në një të ardhme të afërt.
“Nuk gjejmë fjalë për të shkruar për ty, Erion. U rrite me të gjitha grupmoshat te ne. Ne planifikuam që në një të ardhme të afërt të realizojmë transferimin tënd në Evropë e se vjen kjo ditë të ndahemi nga ti, vetëm fizikisht, por jo edhe emocionalisht e shpirtërisht. Eri, siç të thërritshim të gjithë, do të mbetesh gjithmonë në mendjen tonë i dashur, i buzëqeshur, i afërt me të gjithë shokët dhe në përgjithësi klubin tonë”, thuhet në reagimin e presidentit të klubit mitrovicas.
Kreu i FFK-së, Agim Ademi, e përshkroi si lajm tronditës humbjen e talentit 17-vjeçar, për të cilin thotë se iu ndalën ëndrrat futbollistike në gjysmë.
“Thellësisht i tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e futbollistit të FC Trepça’89 dhe anëtarit të ekipeve të grupmoshave të Kombëtares së Kosovës, Erion Kajtazi. Një lajm që na tronditi dhe preku zemrat e gjithsecilit prej nesh si komunitet i futbollit, por edhe opinionin e Kosovës në përgjithësi. Vdekja e parakohshme i ndali në gjysmë ëndrrat e tij rinore dhe futbollistike. Erioni ndërroi jetë në fushën e gjelbër, aty ku filloi ta jetësonte ëndrrën e tij për t’u bërë një futbollist i madh, me të cilin do të krenohej jo vetëm familja, por edhe i gjithë kombi”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në Facebook, duke i shprehur ngushëllime familjes së lojtarit, klubit Trepça ’89 dhe tërë komunitetit të futbollit.
Diskutime rreth kësaj post