Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë thirrje që më 6 dhjetor të gjithë qytetarët të dalin në protestë, në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ish-kryeministri u shpreh se nuk ka samit pa protesta, duke iu referuar këtu vendeve demokratike. “Samite pa protesta- u shpreh Berisha- ndodhin vetëm në vendet diktatoriale”.
Berisha u shpreh me protestën e 6 dhjetorit do t’i shpëtojnë fytyrën Shqipërisë, duke theksuar se ai do të jetë tubimi me evropian i shqiptarëve.
“Protesta do ta quaja më evropiane që shqiptarët kanë organizuar pas dhjetorit 1991. Protestë në të cilën populli opozitar do të jetë i tërë në bulevardin dëshmoret e kombit në një mision të madh për të përfaqësuar aty përkushtimin, vlerësimin, qëndrimin ndaj vlerave të demokracisë, ndaj vlerave evropiane.
Njerëzit të cilët kanë respekt për liritë, për dinjitetin e tyre, për të drejtat e tyre përdorin protestën si zë të tyre, përdorin protestën për të dëshmuar se asgjë nuk mund të mposhtë të drejtën e tyre për tu dëgjuar.
Njerëzit të cilët tremben, kanë frikë zgjedhin heshtjen, ngushëllojnë veten me cmë duhet mua dhe vazhdojnë në orbitën e njerëzve të shtypur. Ne të tillë nuk jemi, ne do ndjekim shembullin e qytetarëve të lirë, të Francës, SHBA, Gjermanisë, të cilët në cdo samit të liderëve të botës apo Evropës, pavarësisht se gëzojnë liri dhe të drejta më shumë se ne janë në protestë. Nuk ka samit pa protestë. Të tilla ndodhin vetëm në vendet diktatoriale, ku protestat janë të ndaluara.
Edi Rama po bën gjithçka që të krijojë këtë tablo në Shqipëri, por ne nuk do ta lejojmë, ne do jemi në shesh me të madh dhe me të vogël.
Ne dalim në shesh sepse protesta si e tillë është detyrë dhe e drejtë e jona. Ne dalim në shesh se nuk përfaqësohemi nga ai që ulet në tryezë me liderët e BE, pavarësisht se gjeostrategjia ka caktuar Tiranën si qytetin e këtij samiti. Por nderi ynë kërkon që në datën 6 në 12 të jemi të gjithë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Protestat nuk kanë asgjë negative, përkundrazi. Me protestën tonë ne i shpëtojmë fytyrën shqiptarëve. A nuk është Evropa dhe Bota që thotë se Shqipëria është vendi më i korruptuar në botë. Atëherë ca do bëjmë ne që kemi mysafirë dinjitarët e Evropës, do jemi në shesh për ti thënë se Rama është i korruptuar dhe ne jemi antikorrupsioni i këtij vendi”, tha Berisha.
Diskutime rreth kësaj post