“Askush nuk duhet të harrojë se ç’i ka bërë ky njeri vendit të tij”, – thotë në këtë intervistë për DITA akademiku Pëllumb Xhufi.
“Realizoi asgjesimin e planifikuar të ushtrisë, policisë, drejtësisë dhe kthimin e tyre në qen-roje të pushtetit të gangsterëve dhe të të paaftëve; drejtoi veprën kriminale të djegies, shkatërrimit, rrënimit të in frastrukturës industriale, bujqësore, arsimore, shëndetësore të ngritur me gjak e me djersë nga dy gjenerata shqiptarësh; çoi në nivele mjerimi arsimin, shkencën e kul turën; programoi vrasjen që në embrion të demokracisë nëpërmjet një klime mbytëse represive mbi opozitën e shtypin e lirë; e në fund, nxiti tinëzisht ndarjet, ballafaqimet e deri përplasjet ndër-shqiptare”, – numëron ai ndërsa flet edhe për 6 dhjetorin, të cilin e quan një akt anti-shqiptar.
– Profesor Xhufi, më 6 dhjetor në Tiranë do të mbahet një samit i pazakontë për Shqipërinë: vijnë krerët e shteteve të BE-së. Sa e rëndësishme është kjo?
– Është jashtëzakonisht e rëndësishme për Shqipërinë, për shqiptarët e për krejt rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Së pari, BE rikonfirmon politikën e vet të integrimit të këtij rajoni në Evropë, dhe kësaj radhe ka vendosur që këtë mesazh të fortë mos ta japë, si zakonisht, nga Brukseli, por nga Tirana. Ndoshta ndonjë vit më parë, ky takim i nivelit të lartë i BE me Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Kos ovën, Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë, do mund të ishte bërë në Beograd.
Në fund të fundit, duke filluar nga viti 1948, Evropa ka patur një qasje serbo-centrike ndaj këtij rajoni. Deri edhe lajmet mbi Shqipërinë, Bullgarinë, Rumaninë etj., i merrte të filtruara e të konfeksionuara mirë e bukur në Beograd. As edhe tragjeditë që Serbia e Milosheviçit shkaktoi aty në mbyllje të shekullit XX nuk mjaftuan për të ndryshuar një qasje të tillë, sidomos në 5-6 shtete antare të BE.
Mirëpo, politikat provokative e destabilizuese që Beogradi vijon të zbatojë ndaj Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi e posaçërisht Kosovës si dhe flirti i tij me Rusinë e Putinit edhe pas agresionit të këtij të fundit kundër Ukrainës, do e ketë shtyrë BE ta caktojë Tiranën si vendin mikpritës të samitit.
Mua më pëlqen ta shoh këtë gjest të BE edhe si simptomë të parë të një zhvendosjeje strategjike drejt një zone me vokacion evropian e euroatlantik të sigurt. Amerikanët e bënë këtë hap 30 vjet më parë, menjëherë pas çlirimit të Kosovës, kur identifikuan Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri-Kosovën si vende mike e anëtare të ardhshme të NATO-s.
Kush e di, ndoshta edhe në BE mund të jetë pjekur mendimi se investimi për Serbinë e erës post-Milosheviç nuk ka dhënë frytet e pritura. Ky vend vazhdon t’i krijojë andralla. Prandaj, në pritje që Beogradi të sqarojë pozitën e tij ndaj Perëndimit, ndaj NATO-s e BE-së, Brukseli ka vendosur të fitojë kohën e humbur duke na kushtuar më shumë vëmendje ne të tjerëve, shqiptarëve, bosnjakëve, malazezëve, maqedonasve.
Entuziazmi me të cilin u pritën në BE rezultatet e zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA, provon se politika e BE në drejtim të Ballkanit Perëndimor do të konvergojë gjithnjë e më shumë me politikën tashmë të sprovuar të administratës amerikane. Dhe kjo është një e mirë e madhe për të gjitha vendet tona.
Në të njëjtën ditë opozita ka vendosur të bëjë një protestë masive, sipas saj, kundër qeverisë. Si ju duket një vendim i tillë pikërisht për në 6 dhjetor?
– Le të saktësojmë: protesta nuk është zgjedhje e “opozitës”, e cila tani është një variabël mjaft kompleks. Protesta është një vendim i z. Berisha. Dhe është një vendim i marrë kuturu. Nuk kuptohet nëse do jetë një protestë, apo një pritje festive, një protestë kundër “regjimit kleptokratik të Tiranës”, apo një pritje festive për delegacionin e Brukselit.
Z. Berisha është shejtan me brirë. Luan me elementin surprizë duke u thënë shqiptarëve: “doni të dini se ç’do të ndodhë në 6 dhjetor? Ejani në shesh ta mësoni”. Kështu shpreson të mbledhë “popullin” e tij.
Por, “populli i tij” po tkurret nga dita në ditë. Motivet e tij nuk frymëzojnë, nuk japin fitore. Tashmë armik i shpal lur i SHBA dhe i Evropës, z. Berisha e ka kthyer aspiratën për pushtet të opozitës në një shpresë të avulluar.
Pak nga pak po e braktisin të gjithë, madje edhe “oligarkët” e tij më besnikë, të cilët nuk janë më të gatshëm të financojnë marrinat e tij. Janë zënë me punë serioze, ndërtojnë grataçela, të cilat duan t’i kthejnë në hotele e salla konferencash për evente ndërkombëtare, si ai i 6 dhjetorit. Nuk duan, sigurisht, që për hir të miqësisë së vjetër, ato pallate bashkë me ata vetë të kthehen një ditë objekte “non grata”. Akoma më keq, të përfshihen nga zjarri që Doktori i “revolucionit permanent” kërkon t’i verë Shqipërisë për të satën herë.
Jam i bindur, edhe nga manifestimi i fundit i opozitës, se demokratët e arsyeshëm nuk duan t’i shkojnë pas një njeriu me turbullira të rënda ideologjike, i cili nuk merret vesh ç’është: është komunist, trockist, demokrat, liberal, konservator apo tëpkë fashist.
Një gjë është e sigurt: protesta e paralajmëruar nga z. Berisha në 6 dhjetor është një akt antishqiptar, në vazhdën e akteve antishqiptare të këtyre 30 vjetëve që mbajnë firmën e tij. Askush nuk duhet të harrojë se ç’i ka bërë ky njeri vendit të tij. Realizoi asgjesimin e planifikuar të ushtrisë, policisë, drejtësisë dhe kthimin e tyre në qen-roje të pushtetit të gangsterëve dhe të të paaftëve; drejtoi veprën kriminale të djegies, shkatërrimit, rrënimit të in frastrukturës industriale, bujqësore, arsimore, shëndetësore të ngritur me gjak e me djersë nga dy gjenerata shqiptarësh; çoi në nivele mjerimi arsimin, shkencën e kul turën; programoi vrasjen që në embrion të demokracisë nëpërmjet një klime mbytëse represive mbi opozitën e shtypin e lirë; e në fund, nxiti tinëzisht ndarjet, ballafaqimet e deri përplasjet ndër-shqiptare.
Në vitin 1997, bashkë me grigjën e tij dogji, vrau e shkretoi Shqipërinë, si Neroni Romën. Ç’alternativë qeverisëse mund të pritet nga Berisha dhe të tijtë?
– Berisha, një i sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe, si dhe aleati i tij Ilir Meta kanë deklaruar se kjo protestë nuk është kundër BE-së, por kundër qeverisë kleptokratike të Edi Ramës. Ju tingëllon e besueshme?
– Shikoni, z. Berisha, mendoj unë, ka arritur një pikë kritike. Nuk mendoj se e ka me zotin Rama, e sigurisht nuk guxon ta ketë me BE-në. E ka me popullin shqiptar. Është një sëmundje e e lindur e diktatorëve kjo, që kur janë në grahmat e fundit, çfryjnë kundër popullit të vet.
Si Duçja, ashtu edhe Hitleri, përgjegjësi në e disfatës së tyre në Luftën II Botërore ia atribuonin popullit italian dhe atij gjerman, të cilët, sipas tyre, gjatë luftës u treguan fri kacakë e të squllur (!) Nuk u mjaftuan milionat e viktimave që shkaktuan në popujt e Evropës, por donin që edhe popujt e tyre të shuheshin deri tek njeriu i fundit për hir të çmendurisë së vetë.
Mutatis mutandis jemi në të njëjtën situatë edhe ne me diktatorët tanë, kushdo qofshin ata. E lidhin fatin e vendit e të popullit me fatin e tyre personal.
Kur z. Berisha thotë se do kthejë demokracinë në këtë vend, neve duhet të na rëqethet trupi dhe duhet të gjejmë ndonjë vrimë ku të futemi. Sepse më kujtohen vitet ’90, kur megjithë konsensusin mbarëpopullor për ndryshim, z. Berisha deshi të vijë në pushtet nëpërmjet një revolucioni të përgjakur.
Dhe në fakt, megjithë monitorimin e këshillat e ndërkombëtarëve, erdhi në pushtet nëpërmjet djegiesh, shkatërrimesh, atentatesh e vrasjesh të kundërshtarëve politikë e gazetarëve. Nuk e futi Shqipërinë në rrugën e lirisë e të zhvillimit demokratik, por e ktheu në vitin zero. Në vitin 1994 tentoi të instalojë në dukje një republikë presidenciale, në fakt diktat urë presidenciale.
Në vitin 2008, me ndryshimet kushtetuese të iniciuara nga ai vetë dhe meqë tashmë ishte kryeministër, vendosi ta kthejë vendin në një kinse republikë kryeministrore, në fakt diktaturë kry eministrore. Por populli e rrëzoi me votë, dhe frutet e “diktaturës kryeministrore” të instaluar nga ai vetë, tani po i gëzon z. Rama. Kjo e tërbon president-kryeministrin e dështuar, i cili e ka kuptuar se në mungesë të alternativave, populli parapëlqen më mirë “diktaturën me fytyrë njeriu” të Edi Ramës, se sa “diktaturën me fytyrë mizore” të Sali Berishës.
Ndaj nuk sheh opsion tjetër, veç atij të revolucionit, apo më saktë të yxhymit haxhiqamilist mbi pallatet e pushtetit. Ja ushqejnë shpresën bëmat e të ngjashmëve të tij kudo në botë, nga trampistët e sulmit të 6 janarit 2021 mbi Capitol Hill, e deri tek putinistët e Kremlinit e kërcënimet e tyre për apokalipsin bërthamor.
– Kur mendoni se opozita mund të vijë sërish në pushtet?
– Gjithmonë kam menduar, se për të shëruar plagët e lëna nga qeverisjet e z. Berisha, vendi kishte nevojë për një qeverisje relativisht të gjatë të së majtës. Pavarësisht mëkateve të shumta, qeverisja e majtë ka treguar më shumë përgjegjësi për fatet e vendit.
Rindërtimi i institucioneve të shtetit pas katraurës berishiane të vitit 1977, u krye gjatë qeverisjes së saj. Rivendosja e marrëdhënieve me aleatët e mëdhenj, të komprometuara rëndë nga PD e Berishës, gjithashtu. Qeveritë socialiste menazhuan edhe situatën e jashtëzakonshme të luftës në Kosovë. Katër të pestat e procesit të hyrjes në NATO (MAP) gjithashtu u drejtuan nga qeveritë e majta. Procesi tjetër i integrimit në BE ka bërë hapa domethënëse gjithashtu në kohën e qeverisjeve socialiste.
E megjithatë, unë mendoj se kushtet janë pjekur për një rotacion politik. Mirëpo, problemi është se nuk është pjekur për këtë rotacion vetë opozita, e cila përveçse “bashkëjeton” me një kufomë politike, nuk është vetë e qartë se detyrë e parë e saj është kthimi i normalitetit demokratik.
Dhe që të kthehet normaliteti demokratik, që të mundësohet dalja e alternativave të reja dhe që opozitës t’i krijohej kushte të barabarta konkurimi, duhet që të zhbëhen ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që sanksionuan pushtetin e kryetarëve. Për fat të keq, as grupimi i ligjshëm i PD, as partia në pushtet, as shoqëria civile nuk po duan ta kthejnë këtë problem në një kauzë prioritare.
Në këtë mënyrë kontribuojnë për të mbajtur të bllokuar dialektikën demokratike dhe për të përjetësuar pushtetin PS-PD.
– Pavarësisht nivelit të opozitës aktuale, a nuk është e nevojshme që qeverisja socialiste të bëjë korrektime, të dëgjojë zërat kundër, që nuk vijnë domosdoshmërisht nga kjo lloj opozite, pra faktorë të tjerë socialë, apo edhe brenda mazhorancës?
-Pa dyshim që duhet t’i dëgjojë të gjithë faktorët që ju rreshtoni në pyetjen tuaj. Të dëgjosh e të reflektosh është një virtyt, ndaj të cilit janë deficitarë politikanët tanë, nga ata të majës së piramidës, e deri tek nëpunësi më modest i administratës.
Për shëmbull, sektori ku qeverisja e gjatë e z. Rama ka lënë shumë për të dëshëruar është ai i përzgjedhjes së stafeve drejtuese. Dikur quhej politikë e kuadrit. Sot, ky moment delikat e vendimtar për mbarëvajtjen e punëve të shtetit, është katandisur në një zgjedhje e vendim ekskluziv të kryeministrit të radhës. Fakt është, që shumë të paktë janë ata deputetë, ata ministra, kryetarë bashkish apo drejtues institucionesh që kanë lënë gjurmë.
Vërtet, bie në sy figura e Kryeministrit, dhe jo vetëm sepse është i gjatë, jo vetëm se sipas rastit shfaqet i ve shur allamoj ose allasoj, apo sepse luan në të gjithë sektorët e fushës. Z. Rama ka ide, ka dije, ka ambicje e ka shije.
Padyshim punon shumë. Por, një pjesë e mirë e atyre që vijnë pas tij dhe që janë përzgjedhje e atij vetë, lënë shumë për të dëshiruar.
Provoni të kujtoni se kush ka qenë para nëntë vjetësh ministër i ekonomisë, i bujqësisë, i energjisë apo i arsimit. Mund i kotë.
Kujtohet, po, Saimir Tahiri. Por kujtohet si për guximin e treguar në mbylljen e “republikës së Lazaratit”, ashtu edhe për dënimin që iu dha nga gjykata për lidhje të dyshuara me një grup trafikantësh.
Kujtohet për mirë ministrja e shëndetësisë, zonja Manastirliu, për rolin e saj në përballimin e emergjencës Covid dhe për ndryshimin rrënjësor të gjendjes në spitalet tona, që deri dje të kujtonin lazaretet mesjetare të murtajës. Kështu edhe ndonjë zgjedhje tjetër e gjetur e Kryeministrit.
Por, në përgjithësi zgjedhjet e tij kanë rezulttuara të pafata, dhe këtë e provon ndrrimi i shpeshtë i ministrave e deputetëve. Gjë negative kjo, pasi pengon stabilizimin e krijimin e një klase politikanësh profesionistë. Është pritur që pas mandatit të parë, apo makar pas mandatit të dytë, z. Rama të ndryshojë qasje, por më kot.
Me sa duket është një obsesion i tij të bëjë një transfuzi on radikal të klasës drejtuese, duke nxjerrë në pension “pleqtë” 40, 50 apo 60 vjeçarë e duke ua besuar hallet dhe punët e shtetit të rinjve 25-30 vjeçarë. Shumë prej tyre nuk lënë gjurmë, të tjerë bëhen të njohur për publikun vetëm kur bien në rrjetën e drejtësisë.
Megjithatë, z. Rama vijon të peshkojë peshqit e gabuar, si në metaforën e atij fatkeqit, që fut dorën në një thes të mbushur plot e përplot me atë gjënë e mirë, e për dreq dora i zë të vetmen gjë të keqe që ndodhet gabimisht aty….
(Intervista e plotë mund të lexohet sot në DITA print në kioskat e shtypit në gjithë vendin)
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Diskutime rreth kësaj post