Ervini është më i riu i menaxherëve të bujtinave në Luginën e Valbonës. Ka përfunduar studimet për hoteleri turizëm dhe është i angazhuar ne menaxhimin e bujtinës së tij, Tradita. Prej 12 vitesh familja ka punuar mes shumë vështirësive e sakrificave për të ngritur këtë biznes.
“Si fillim patëm ndërtuar restorantin por me kalimin e kohës pamë që kërkesa dhe numri i turistëve po shtohej, si shqiptarë dhe të huaj. Filluam të ndërtonim dhe pjesën e bujtinave. E nisëm me një kredi pastaj duke punuar dhe ruajtur kursimet filluam duke u zgjeruar pak më shumë tek kjo pjesa e bujtinave. Në fillimet tona ka qenë shumë problem pjesa e rrugës sepse më përpara ka qenë rrugë me qarkull me zhavorr. Por më vonë u rregullua dhe rruga dhe kjo solli një prurje më të madhe të turistëve. Kjo ka qenë bashkë me familjen, filloi si punë dhe me kalimin e kohës filluam jo të bëjmë këtë apo atë. Të gjitha këto kanë ndodhur në bashkëbisedim e sipër me familjen”.
Si shumica e të rinjve, është tunduar shpesh të largohej në emigracion por sot duket i lumtur për vendimin që ka marrë.
“Me thënë të drejtën e kam pasur në plan edhe për të lëvizur, por duke qenë se këtu ka punë dhe kisha se me ca me u marr fillova duke e lënë mënjanë këtë punën e lëvizjes. Por në plan e kam pasur po shyqyr zotit jam që nuk lëviza dhe jam këtu tani”.
Ka një mesazh për të rinjtë që po largohen. Ervini beson se turizmi është një fushë që mund të angazhojë shumë të rinj nëpër të gjithë Shqipërinë, para se ata të marrin vendimin për tu larguar drejt emigracionit.
“Po mund të jetohet shumë mirë, pak vështirë është por mund të jetohet. Me pak mundim dhe sakrificë mund t’ia dalin. Sikur me çfarëdo lloj pune mund të merret, sikur me turizëm, sikur me ndonjë gjë tjetër mund t’ia dalë, është pak vështirë por që gjithçka do pak përkushtim dhe përkujdes”.
Diskutime rreth kësaj post