Shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare, u shpall “Qytetar Nderi” i Tetovës, ky nderim iu bë me një ceremoni solemne në Komunën e Tetovës, ku për të, siç u shpreh ai, çastet e këtilla janë të rralla, ku ai takohet me lexuesit, gjë që çdo shkrimtar ëndërron t’i përjetojë.
“Duhet të më besoni se nuk e kam lehtë të flas, jo se nuk di të them fjalë nga më të ndërlikuara, por sepse çaste të tilla janë shumë të rralla në jetën e një shkrimtari, të jetë përpara lexuesve të një prej qyteteve të pafundme të botës iliro-shqiptare. Këto janë çaste që çdo shkrimtar, sado që i njohur të jetë në botë ose në vendin e tij, i ëndërron t’i përjetojë, sepse jeta njerëzore ushqehet prej ngjarjesh të tilla”, tha shkrimtari Ismail Kadare.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, tha se është nder për qytetin që të ndaj titull për personalitete si Kadare.
Sipas Kasamit, Kadare me veprat e tija ka qenë gjithmonë i pranishëm në Tetovë.
“Jemi të nderuar dhe të privilegjuar që sot të shpallim qytetar nderi shkrimtarin e nderuar z.Ismail Kadare. Propozimi u pranua njëzëri, nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Tetovës, të cilët janë edhe lexues të veprës së tij. Sado që të përpiqemi ta nderojmë të madhin Ismail Kadare, ne sërish mund të bëjmë pak fare për këtë personalitet të shquar të kulturës sonë dhe për veprën letrare që ka krijuar gjeniu ynë. Kjo është vepër monumentale dhe paraqet pasuri jo vetëm për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare, por edhe atë evropiane dhe botërore”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Për shpalljen “Qytetar Nderi” të Ismail Kadaresë në seancën e 28 tetorit votuan 31 këshilltarë komunal.
Diskutime rreth kësaj post