Gert Bogdani, do të garojë në primaret e organizuara nga Partia Demokratike, fituesi i të cilave do të garojë me kandidatin e Partisë Socialiste për Bashkinë Tiranë.
“Tiranë, shtëpia jonë, Tirana familja jonë, Tiranë krenaria jonë!” , Ky është slogani me të cilin Bogdani do të garojë.
I ftuar në “Radari Informativ” në ABC, Bogdani u shpreh se Primaret janë një garë alternativash, me anë të së cilave demokratët do të mund të zgjedhin mes individëve dhe programeve.
I pyetur se cilin sheh si kandidatin më të fortë, ish-deputeti demokrat nuk dha një përgjigje, por theksoi se rëndësi ka që fituesi të ketë eksperiencë në qeverisjen lokale “në mënyrë që pas 14 majit, puna të nisë që në ditën zero”.
Por, a i druhet Bogdani mbështetjes që kryedemokrati Sali Berisha mund t’i japë ndonjërit prej kandidatëve?
Ai thotë se ajo që ka më shumë rëndësi në këtë garë është kontakti me demokratët e thjeshtë.
“Nuk ka të bëjë, aksesi duhet të jetë te demokratët e thjeshtë. Berisha e ka bërë të qartë që nuk do të ndikojë. Demokratët të votojnë kandidatin që u ofron fitore më 14 maj. Duhet dallim i qartë mes individit dhe programit që sjell individi”.
Gjithashtu, Gert Bogdani u shpreh se përballë Erion Velisë, veten e sheh fitues, ndërsa e akuzoi kryebashkiakun aktual të Tiranës se më shumë bën reklamë sesa punë.
“Fitues e shoh përballë Velisë. PR është gjë tjetër, ai del me bisht lopate duke mbjellë pemë ndërkohë që mbjell pallate. I shpërdoron paratë e taksapaguesve. Më shumë bën reklamë sesa bën punë. Sado PR të bëjë Veliaj nuk e ndryshon dot realitetin në të cilin jetojnë banorët e vet”.
Sa i përket programit të tij, ish-deputeti demokrat shpjegoi se synimi i tij është që të ndryshojë mënyrën sesi qeveriset Bashkia e Tiranës, ndërsa pikat kryesore ku do të fokusohet puna e tij do të jenë trafiku i rënduar i qytetit, problematikat e parkimit, shkollat, hapësirat për fëmijët, kthimin e vëmendjes te Tirana rurale etj.
Ndërsa, i pyetur për kandidatin që ai që quhet grupimi Alibeaj mund të ketë për Tiranën, Bogdani tha se në kryeqytet të paktën është i bindur që demokratët do të jenë të bashkuar.
“Të paktën në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, demokratët do të jenë të bashkuar. Se nuk bëhet fjalë vetëm për të hequr Veliajn, por për të sjellë një model tjetër”, tha ai.
Kujtojmë se kandidatët për primaret e Tiranës janë shtatë: Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Enkelejda Fejzo, Fatmir Merkoci, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti, Julian Deda.
Tre dhjetori është koha e parashikuar në vendimin e Kryesisë së Partisë Demokratike, si koha e fushatës, ndërsa më 4 dhjetor, demokratët dhe simpatizantët e PD-së mund të votojnë për kandidatët.
Diskutime rreth kësaj post