Tableta do të zëvendësojë bllokun e gjobave të punonjësve të policisë, prej muajit dhjetor. Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato tha se të gjithë punonjësit do të pajisen me tableta, brenda muajit dhjetor dhe do të kenë mundësi të vendosin gjobat “online”, po ashtu edhe gjoba do të shfaqet online për qytetarët në momentin që vendoset.
Por njëkohësisht kjo do të thotë se polici i cili vendos gjobën, do të shohë në kohë reale historikun e gjobave të shoferit. Kjo do i lejojë atij mundësinë të vendosë gjobën maksimale, nëse sheh në historik se shoferi është përsëritës në shkeljen përkatëse.
Megjithatë, lajm i mirë është se ankimimi për gjobën do të mund të bëhet në çdo qytet, pavarësisht se ku merrni masën administrative.
“Ne kemi e-gjobë, brenda muajit, në dhjetor besoj, të gjithë punonjësit e policisë nuk do vendosin më gjoba me bllok, do pajisen me tabletë dhe aty kanë historikun. Punonjësi i policisë e vendos në sistemin e gjobave olnile, dhe çdo qytetar mund ta verifikojë menjëherë online, me numrin e shasisë në e-Albania. Qytetari nëse nuk është dakord e ankimon te komisioni administrativ. Ankimimi mund të bëhet në çdo qytet, mund ta kapet në Sarandë, dhe të ankimojë në Tiranë. Dhe i kthehet përgjigja online, ky është një lehtësim”, u shpreh Qato në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.
Diskutime rreth kësaj post