Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj i ka dorëzuar kërkesë kryetares së Kuvendit për të mbledhur konferencën e kryetarëve që të shqyrtohet kërkesa për të pasur kohë të pakufizuar për diskutimin e marrëveshjes për Portin e Durrësit, që do të shqyrtohet në seancën e të enjtes në Kuvend.
Ne kerkese thuhet se projektligji është i një rëndësie të veçantë, “pasi ka të bëjë me tjetërsimin e një pasurie publike me interes kombëtar, strategjik dhe ekonomik. Për më tepër, që projektligji dhe aktet shoqëruese janë komplekse dhe meritojnë një debat parlamentar përmbajtësor. Miratimi i këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar dhe shtuar këtu edhe shqyrtimi në seancë plenare me kohë të kufizuar, janë tregues i qartë i vullnetit të qeverisë për të miratuar këtë marrëveshje me shpejtësi dhe pa një debat të thelluar parlamentar”.
KUVENDI
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike
Nr. __ Prot. Tiranë, më _._.2022
Lënda: Shfuqizimin e pjesshëm të vendimit nr. 22, datë 15.11.2022 të Konferencës së Kryetarëve, sa i përket pikës III të tij.
Drejtuar: Znj. Lindita NIKOLLA
Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
Në datën 15.11.2022, Konferenca e Kryetarëve ka miratuar vendimin nr. 22 “Për miratimin e çështjeve të diskutuara në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të zhvilluar në datën 15.11.2022”. Në pikën III të këtij vendimi, thuhet “Miratimin e përcaktimit të kohës së diskutimeve lidhur me projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company sh.a. dhe NSHMI Development L.L.C. në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”. Koha e diskutimeve është 360 minuta.”.
Neni 48 i Rregullores së Kuvendit përcakton se “1. Cdo diskutues, me përjashtim të rasteve kur në këtë Rregullore parashikohet ndryshe, ka të drejtë të flasë jo më shumë se 10 minuta. Diskutuesi nuk mund të flasë më shumë se një herë për thelbin e së njëjtës çështje dhe nuk mund të marrë nga koha e një diskutuesi tjetër. 3. Kur çmohet e nevojshme për çështje konkrete, koha e diskutimeve mund të përcaktohet paraprakisht në Konferencën e Kryetarëve në mënyrë përpjesëtimore ndërmjet grupeve, sipas përfaqësimit të tyre në Kuvend, por në çdo rast jo më pak se 10 minuta për një grup parlamentar.”.
Rregullorja ka parashikuar si rregull të përgjithshëm të drejtën e çdo deputeti për të diskutuar 10 minuta. Si rregull, koha e diskutimeve për një çështje të rendit të ditës është e barabartë me numërin e folësve të regjistruar në sekretari. Megjithatë, paragrafi i tretë i nenit 48 të Rregullores sanksionon se në raste përjashtimore, Konferenca e Kryetarëve mund të përcaktojë paraprakisht kohën e diskutimeve për çështje konkrete. Kjo dispozitë kërkon përmbushjen e dy kritereve: (i) nevoja; dhe (ii) çështja konkrete.
Duke u kthyer në rastin konkret, rezulton se Konferenca e Kryetarëve ka përcaktuar kohën e diskutimeve për shqyrtimin e projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company sh.a. dhe NSHMI Development L.L.C. në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit””, 360 minuta ose 6 orë. Megjithatë, ky vendim rezulton se nuk përmbush asnjë prej kritereve të sanksionuar nga neni 48, paragrafi i tretë i Rregullores.
Konkretisht, Konferenca e Kryetarëve nuk ka treguar se cila është nevoja konkrete për përcaktimin e kohës së diskutimeve. Mospërmbushja e këtij kriteri do të mjaftonte për të konstatuar paligjshmërinë e kësaj vendimmarrje. Ndërkohë, Rregullorja nuk ofron ndonjë përcaktim sa i përket asaj që konsiderohet “çështje konkrete”, megjithatë është e qartë se një projektligj nuk përbën çështje konkrete, e për rrjedhojë nuk mund t’i nënshtrohet këtij rregullimi.
Nga ana tjetër, projektligji në fjalë është i një rëndësie të veçantë, pasi ka të bëjë me tjetërsimin e një pasurie publike me interes kombëtar, strategjik dhe ekonomik. Për më tepër, që projektligji dhe aktet shoqëruese janë komplekse dhe meritojnë një debat parlamentar përmbajtësor. Miratimi i këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar dhe shtuar këtu edhe shqyrtimi në seancë plenare me kohë të kufizuar, janë tregues i qartë i vullnetit të qeverisë për të miratuar këtë marrëveshje me shpejtësi dhe pa një debat të thelluar parlamentar.
Një vendimmarrje e tillë cënon të drejtën e fjalës të çdo deputeti, por veçanërisht të deputetëve të pakicës parlamentare. Një prej funksioneve thelbësore të deputetëve të opozitës është pikërisht ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj akteve që sillen për miratim nga Qeveria. Përdorimi në mënyrë arbitrare i kufizimeve të drejtës së fjalës dhe ushtrimit të kontrollit parlamentar nëpërmjet procedurës së përshpejtuar dhe kufizimit të kohës së diskutimeve, është në kundërshtim me frymën dhe gërmën e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Kuvendi nuk mund të shndërrohet në një noter të vendimeve dhe akteve të Qeverisë, por duhet t’ia nënshtrojë ato një kontrolli dhe shqyrtimi përmbajtësor, në mbrojtje të pasurive dhe interesit publik të qytetarëve dhe shtetit shqiptar. Në këtë kuptim, në mbështetje të nenit 12, pika 2 dhe nenit 48, pika 3 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj shfuqizimin e pjesshëm të vendimit nr. 22, datë 15.11.2022 të Konferencës së Kryetarëve, sa i përket pikës III të tij, dhe mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ditën e nesërme, datë 22.11.2022 për shqyrtimin e kësaj kërkese.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.”, shkruan grupi parlamentar i PD.
Diskutime rreth kësaj post