Pas zerimit ta tarifave Roaming mes vendeve të Ballkanit, pritet që në periudhat në vazhdim, përdoruesit e telefonisë celulare në këtë rajon të shpenzojnë më pak edhe kur udhëtojnë në vendet e Bashkimit Europian.
Vendet e BE-së po e shohin pozitivisht nismën e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në lidhje me uljen e tarifave Roaming me shtetet e Ballkanit, madje për këtë ka edhe një kalendar të mirëfilltë pune, për të cilin foli Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu gjatë punimeve të Samitit të Berlinit në tetorin e shkuar.
Në këtë kontekst, 86 deputetë të Grupit të Partive Popullore Europiane i janë drejtuar Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen duke i kërkuar heqjen e tarifave Roaming për rajonin tonë duke e cilësuar Ballkanin Perëndimor si një aleat të denjë dhe të besueshëm të Bashkimit Europian, i cili duhet mbëshetur.
Pasi vlerësojnë mbështetjen për Ukrainën, gjë të cilën vetë Von Der Leyen e theksoi në fjalimin e saj në shtator, deputetët në fjalë kërkojnë prej saj një vëmendje të shtuar edhe për një tjetër rajon në Europë, siç është Ballkani Perëndimor.
“Një hap i rendësishëm në drejtim të mbështetjes së këtij rajoni do të ishte heqja e barrierave të komunikimit mes tyre dhe vendeve të BE-së duke hequr tarifat Roaming”, shkruajnë deputetët në letër.
“Është koha të veprojmë tani! Ne, përfaqësues të qytetarëve te BE-së kërkojmë hartimin e një strategjie të mirëfilltë për afrimin e qytetarëve te Ballkanit Perëndimor me shtetet tona”, përfundojnë ata.
Heqja e tarifave Roaming mes shteteve të Ballkanit dhe BE-së është një nismë e RCC-së dhe pritet që të jetë edhe në vëmendje të Samitit që do të zhvillohet më datë 6 dhjetor në Tiranë ku do të marrin pjesë krerët e vendeve të Bashkimit Europian. /abcnews.al
Diskutime rreth kësaj post