Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se sulmi i së martës në Poloni me gjasë u shkaktua nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.
Këto deklarata Stoltenberg i bëri në konferencën për shtyp pas takimit urgjent të vendeve anëtare të mërkurën, në Bruksel, pasi dy persona u vranë në Poloni nga një raketë që Varshava tha se ishte e prodhuar nga Rusia.
“Ky nuk është faji i Ukrainës. Rusia e mban përgjegjësinë përfundimtare pasi që po e vazhdon luftën e saj të jashtëligjshme kundër Ukrainës”, tha Stoltenberg.
Ai gjithashtu shtoi se nuk ka indikacione që Rusia po planifikon sulm ndaj NATO-s dhe se ata duhet të rrinë “vigjilentë, të qetë dhe të koordinuar ngushtë”, pasi që “lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja për territorin e NATO-s”.
Mbledhja e ambasadorëve të NATO-s në Bruksel u thirr me kërkesë të Polonisë, anëtare e aleancës, dhe kryesohet nga sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, i cili do të mbajë më pas një konferencë shtypi.
Ministria e Jashtme polake tha se një raketë e prodhuar nga Rusia ra në fshatin Przewodow, një fshat në Poloninë lindore rreth gjashtë kilometra larg kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona më 15 nëntor, pas një dite granatimesh masive ruse të Ukrainës.
Diskutime rreth kësaj post