Anëtari i Kryesisë së PD, Enno Bozdo deklaroi se shteti shqiptar në marrëveshjen me investitorin e huaj arab për Portin e Durrësit do të dhurojë sipas tij shifrën prej 500 milionë eurosh dhe do të marrë mbrapsht 268 milionë.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, ai shtoi se në planin e biznesit ka një mashtrim të qeverisë, ku sipas tij një kazino e planifikuar në një nga hotelet me 5 yje nuk përmendet në plan e biznesit dhe se 1/3 e saj duhet të ishte pronë e shtetit shqiptar, gjë të cilën Bozdo e cilësoi si ‘falsifikimin më të madh’ që ka parë ndonjëherë.
“Kontrata i kërkon garanci investitorit që të demonstrojë se në llogaritë e tij ka minimalisht 30% të shumës së projektit. Investitori nuk garanton qeverinë në këtë rast, ai duhet të kishte një marrëveshje të veçantë në rast kur investitori tërhiqet këto janë të bllokuara dhe financojnë këtë projekt. Ai garanton vetveten, jo shtetin shqiptar. Pra 70 milionë euro do i fusë nga kapitali i tij dhe pjesën tjetër do i marrë kredi.
1/3 e kompanisë është e shtetit, Alabbari fut nga xhepi i tij vetëm 55 milionë euro, ka marrë një tokë që vlen sa 33% e kapitalit. Kush e vendosi 33%? Çdo ligj i vendit kërkon që këtu të hapet një garë për projektin. Praktikisht kjo kontratë i ka falur 500 milionë euro, plani i biznesit thotë që shteti do falë 500 milionë euro dhe merr 268 milionë euro, dhe duhet të nxjerrë edhe 2 miliardë për portin e mallrave. Qeveria ka mashtruar me këtë plan biznesi.
Kazinoja është shumë interesante, investitorit do t’i jepet e drejta për një kazino në një hotel me 5 yje. Kazinoja është jo prezente në këtë plan biznesi, ky është falsifikimi më i madh që kam parë ndonjëherë, kazinoja mund të prodhojë deri në 1 milionë euro në ditë, 1/3 e saj duhet të ishte pronë e shtetit shqiptar”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post