Leka Bungo, Kryetar i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, vijon të denoncojë keqadministrimin e transmetuesit publik, që financohet me taskat e shqiptarëve.
Pas letrës së pak javëve më parë drejtuar drejtorit të përgjithshëm Enkel Joti, ku tregonte problemet me stafin rreth tij, të gjithë të marrë nga QSUT-ja, ku Joti ishte më parë drejtor, Bundo trajton problemet në orkestrën simfonike të RTSH-së, një nga asestet më të çmuara të kulturës në vend, por që ka mbetur jashtë vëmendjes së autoriteteve.
Sipas Bungos, problemi është edhe më i thellë sepse udhëheqësi artistik i orkestrës simfonike dhe menaxheri jetojnë në Francë dhe vijnë shumë rallë në Shqipëri për t’u marrë me detyrën për të cilën paguhen me rroga të majme.
Reagimi i plotë i Leka Bungos:
“Nje nga asetet me të çmuara të Radio Televizionit Publik Shqipetar është pa dyshim, Orkestra Simfonike. E krijuar shumë kohë më parë dhe rinovuar përgjatë Dekadave nga breza muzikantësh të talentuar, Orkestra Simfonike ka zënë një vend të veçantë në fondin e arte të Kulturës tonë Kombëtare.
Dirigjentë dhe instrumentistë të talentuar, të shkolluar në Konservatorët e Europës dhe në Akademinë e Arteve të Shqipërisë, e kanë nisur karrierën e tyre në këtë Orkestër qëkur janë larguar nga bangat e shkollës dhe gjerë në ditën e parë të pensionit.
Ata i dhuruan Radio Televizionit shqiptar vitet më të bukura të jetës së tyre.
E ndërkohë që thinjeshin dhe plakeshin të krrusur mbi instrumentat e tyre, Orkestra RINOHEJ nga viti në vit.
Nga dita e parë e krijimit, 16 Maji i vitit 1962, ajo ka dhënë qindra koncerte në ekranin e R.T.SH- së, në skenat e qyteteve të Shqipërisë dhe sallat koncertale të shteteve të Europës.
Përveç interpretimit me nivel të lartë artistik të veprave nga kollosët e muzikes botërore, orkestra simfonike JETËSOI dhjetra vepra të kompozitorëve shqiptare.
Një nga misionet e shenjta të orkestrës së R.T.SH-së, së bashku me simotrën e saj, orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit ka qenë zgjimi i një dëshire të veçantë tek shqiptaret, zgjimi i dëshirës për të dëgjuar dhe shijuar muzikën simfonike, muzike e pa lëvruar në vendin tonë si pasojë e mungesës së traditës.
Do të duheshin faqe të shumta për të evidentuar vlerat dhe kontributin e veçantë të Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar në fushën e krijimtarise artistike. Ajo është një nga gjymtyrët më të rëndësishëm në trupin e Gjigandit mediatik, R.T.SH.
Ajo është një “Ndërmarrje “ artstike të cilës i japin frymë rreth gjashtedhjetë dirigjentë dhe instrumentistë që kanë dalë nga bankat e Akademisë së Arteve.
Gjashtedhjetë intelektualë, njeri më i talentuar se tjetri.
Përkujdesja e shtetit për të mbajtur gjallë orkestrën simfonike të R.T.SH_se është një nga momentet e bukura, por të rralla në marrëdhëniet e Shtetit me artin.
Por a janë mjaft të gjitha këto?
Sipas gjykimit tim, jo.
Përveç Festivalit të këngës në fund të vitit, tek i cili Orkestra simfonike është e angazhuar në rolin kryesor, planet e tjera të saj bien shpesh pre e spontanitetit.
Orkestra e jonë simfonike është një relike e kushtueshme që ta kanë dhuruar dhe ti nuk je i zoti t’i gjesh një vend të veçantë në dhomën e pritjes.
Dirigjentë, Udhëheqës artistike, Menaxherë të ndryshem janë përpjekur ndër vite për ta gjetur atë vend të por nuk ia kanë arritur qëllimit.
Administrimi dhe menaxhimi i aktiviteteve të orkestrës simfonike mbetet një nga çështjet më të vështira dhe më të diskutueshme.
Zgjidhja e tyre nuk pritet as nga violinisti, as pianisti apo Dirigjenti, ajo është një nga detyrat thelbesore që duhet ta zgjidhin ata që i kanë dalë për zot drejtimit të Radio Televizionit Shqiptar.
Pak ditë më parë kam botuar në shtyp objeksionet e mia për situatën e krijuar në Radio Televizionin Shqiptar pas emrimit të Stafit të ri drejtues, i cili ka nisur punën nëntë muaj më parë.
Gjer më sot, askush nuk e ka marrë MUNDIMIN të thotë qoftë edhe një fjalë për ato ç’ka trajtoheshin në shkrim, ndërkohë që autori i këtyre radhëve nuk është Roje i policisë private, por Kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar.
Gjithsesi, të gjitha sa kam trajtuar në shtyp i kam ngritur edhe në mbledhjet e Këshillit drejtues, jo vetëm njëherë por …!
Kjo është arsyeja që me detyroi të ulem sërish përpara kompiuterit, duke shpresuar se DIKUSH edhe mund t’i lexojë këto rrjeshta..
Në shkrimin e mëparshëm, ndër të tjera, kam ngritur edhe ndonjë shqetësim i cili lidhet me Orkestrën Simfonike të R.T.SH -së.
“… Zoti Drejtor, pak kohe më parë i mbështetur nga Keshilli Drejtues i R.T.SH-së keni emëruar Udhëheqësin artistik të orkestrës simfonike. Pa vënë aspak në dyshim dëshirën e mirë dhe personalitetin e tij artistik jam i mendjes se emërimi i tij nuk ishte zgjedhja më e mirë. Ai punon dhe jeton në Francë.
Cili do të që ndryshimi nga një dirigjent tjetër që vjen ca ditë në Tiranë, dirizhon koncertin dhe të nesërmen largohet nga Shqipëria ? Misioni dhe detyrat e Udhëheqësit artistik nuk janë të njëjta me ato të një dirigjenti të përkohshëm. Për këtë arsye ato nuk mund të realizohen me Korespondencë !
Nga ana tjetër, për të kompensuar mungesën e prezencës së përhershme të Udhëheqësit artistik pranë orkestrës, keni punësuar me kontratë një menaxher, i cili pa dyshim është i domosdoshëm për mbarëvajtjen e punëve të orkestrës. Megjithatë …
Unë nuk jam në gjendje të jap mendim si DUHEJ të ishin Koncertet, por mund të them me saktësi SI ishin Ato.
Në Vlorë.
Hapësira skenike në Teatrin Petro Marko nuk kishte ASNJË element skenografik, ASNJË.
Nuk kishte, të paktën një Logo nëpërmjet së cilës spektatori të mësonte se orkestra në skenë dhe Koncerti që organizohej për ta, ishte i Radio Televizionit Shqiptar dhe jo…përshembull, i shtëpisë së kulturës në Balldren.
Mesa dukej, spektatori do ta mësonte këtë vetëm atëherë kur të shfaqej në skenë Konferencieri.
Spektakli vijoi rreth dy orë, u duartrokit dhjetra herë nga spektatorët e mrekullueshëm, që për fat të keq nuk e kishin mbushur sallën, jo për faj të tyre, ani pse shfaqja organizohej pa bileta.
Në mbyllje të koncertit, spektatorët u ngritën në këmbë të emocionuar dhe duartrokiten një kohë të gjatë instrumentistët e mrekullueshëm dhe dirigjentin e tyre.
Gjithesesi unë jam i bindur se edhe sot e kësaj dite, spektatorët, përfshi edhe mua, nuk arritën të merrnin vesh se cilët ishin autoret e veprave që u interpretuan dhe kush ishte dirigjenti i koncertit ! Ishte shqiptar apo i huaj?! Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se në spektakël nuk kishte as konferencier, as flete volante !!!
Në Tiranë.
Koncerti i dytë i orkestrës u organizua pak ditë më parë në sallën luksoze të Katedrales ortodokse në Tiranë.
Për fat të keq, ishte e njëjta pamje si në Vlorë. i vetmi ndryshim kësaj radhe, ishte se në koncert nuk mungonte vetëm udheheqësi artistik, por edhe menaxheri i orkestrës.
Si në Vlorë edhe në Tiranë, nuk bëhej fjalë për dekor, ose të paktën për një logo, nga e cila spektatorët të mësonin e kujt ishte ajo orkester!
Spektatorët e rrallë në sallë, edhe pse shfaqja ishte gratis, nuk arrinin të trasmetonin emocione tek instrumentistët, të cilët ishin më të shumtë në numër se spektatorët.
Një atmosferë e tillë në vend që të jepte kënaqësi, të krijonte një ndjenje të lehtë trishtimi.
Edhe në këtë concert, spektatorëve u duhej të merrnin me mend si quhej pianisti, nga vinte ai. Cili ishte dirigjenti i orkestrës që drejtoi për dy orë me radhë koncertin?
U duhej ta merrnin me mend, sepse edhe në këtë koncert nuk kishte konferencier. Nuk kishte as flete volante!
Në dy koncertet, edhe në Vlorë edhe në Tiranë orkestra e Radio Televizionit Publik, nuk interpretoi asnjë pjesë të kompozitorëve shqiptarë! Pse?!
Tek ndiqja interpretimin e instrumentistëve në momentet e fundit të shfaqes, vrisja mendjen: Si është e mundur që artistëve të tillë t’u mungojë VËMENDJA e atyre që nuk u duken në sallë as në koncertin e parë dhe as në të dytin edhe pse për atë VËMENDJE paguhen me rroga të majme ?!
Të pretendosh për nivel të lartë në Krijimtarinë artistike të Radio Televizionit Shqiptar ndërkohë që në Stafin e Drejtorisë së Përgjithshme nuk ka ASNJË krijues dhe ASNJË gazetar, është njëlloj sikur të kërkosh “Qiqra në hell”.
P.S.
Në rreshtat e mësipërm nuk kam permendur asnjë nga emrat e kompozitorëve, dirigjentëve apo të instrumentistëve të shquar që i dhanë emrin “Nderi i Kombit”- Orkestrës së R.T.SH-së. Ata janë aq të shumtë në numër, sa nuk do të mjaftonin të gjitha faqet e gazetës. Në të vërtetë koncertet e fundit të orkestrës që u organizuan në qytetin e Vlorës dhe në Tiranë, e bënë të “pavlefshme” përgjigjen tuaj. Përgjigjen që prisja nga ju, e mora prej tyre. Në shfaqjen për publikun e Vlorës, mungonte udheheqesi artistik i orkestrës! Ai ka qenë prezent vetëm në koncertin për 60 vjetorin e orkestrës, përgatitja e të cilit ka zgjatur pesë ditë dhe më pas është larguar nga Shqipëria për të mos u kthyer, të paktën deri më sot! Në koncertin e Vlorës, orkestra u shoqërua nga menaxheri i saj. Mirepo e keqja është së edhe menaxheri punon dhe jeton në France!”, shkruan ai.
Diskutime rreth kësaj post