Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova është gati t’ia shtrijë dorën Serbisë dhe të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore, nëse ata janë të gatshëm të çlirojnë grushtin.
Megjithatë, ka theksuar se Kosova nuk ofron lëshime të mëtejshme që ndajnë vendin në vija etnike dhe fetare.
Në Forumin për Paqe në Paris të Francës, kreu qeveritar tha paqja dhe siguria në Evropë nuk po sfidohet vetëm në lindje nga Rusia, por edhe në juglindje nga Serbia.
“Kosova ka filluar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në vitin 2011, 11 vjet më pas, sot në shumë aspekte marrëdhëniet nuk janë më të mira se një dekadë më parë, dhe ka një arsye për këtë, Serbia ka dështuar të demokratizohet dhe ajo ende kërkon konflikte në vend të bashkëpunimit, ajo ende lavdëron kriminelët e luftës në vend që t’i gjykojë dhe t’i dënojë. Kam frikë se Serbia sot nuk është as demokratike, as e pavarur, është një regjim që udhëhiqet nga kisha ortodokse dhe dominohet nga Rusia e Putinit. Kosova dëshiron marrëdhënie paqësore dhe të fqinjësisë së mirë me Serbinë dhe ne jemi të gatshëm t’i shtrijmë dorën një vendi që ka kryer gjenocid ndaj popullit tonë, nëse ai vend është i gatshëm të lirojë grushtin”, tha ai.
Para të pranishmëve, kryeministri Kurti nënvizoi sërish se marrëveshja finale me Serbinë duhet të ketë njohjen reciproke në qendër të saj.
Ai i bëri thirrje edhe pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë.
“Ajo që ne nuk ofrojmë janë lëshime të mëtejshme të krijuara për të ndarë shoqërinë dhe vendin tonë në vija etnike dhe fetare, por nëse Serbia nuk është e gatshme të na njohë, siç e përsërisin çdo ditë, pesë anëtarët e BE-së nuk duhet të presin, ata mund të ndihmojnë që Serbia të njeh Kosovën më shpejt nëse ato vende na njohin të parat. Unë jam i vetëdijshëm për frikën e tyre, por gjykata më e lartë në botë “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë” deklaroi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, debati ligjor për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë në thelb ka përfunduar. Të gjithë në Evropë kanë përgjegjësi për të kontribuar në forcimin e paqes dhe sigurisë në Evropë dhe dua të falënderoj BE-në për të gjithë ndihmën që na kanë dhënë, dhe që po na japë, dhe në veçanti Francën për kontributin e saj për paqen, demokracinë dhe zhvillimin në rajon në përgjithësi, dhe në Kosovë në veçanti”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Kurti tha se ekziston rrezik përreth kufijve me Serbinë, por shtoi se Kosova mbështetet në NATO-n.
“Rreth kufirit të Kosovës, në Serbi, në të ashtuquajturën zonë e madhe e sigurisë, e cila është pesë kilometra e gjerë, që nga intervenimi i NATO-s në vitin 1999 që ka pasur për qëllim ndalimin e gjenocidit ndaj popullit shqiptar, janë 48 baza operacionale të Serbisë me 50-150 ushtarë. 28 prej tyre janë të gjandarmërisë dhe 20 prej tyre janë ushtarake. Pra, ky është një rrezik i madh për vendin tonë dhe ne jemi shumë vigjilentë, por asnjëherë të frikësuar. Kosova nuk është në NATO, por Kosova e ka NATO-n brenda, dhe historia e Kosovës dhe ajo e NATO-s janë të ndërthurura, por edhe e ardhmja jonë është e ndërthurur. Prandaj, ne duam t’i bashkohemi programit të partneritetit për paqe dhe sa më shpejt që të jetë e mundur duam të anëtarësohemi në NATO”, theksoi Kurti./KosovaPress
Diskutime rreth kësaj post