Pedagogu Albano Zhapaj ka shpallur dje kandidaturën e tij për të marrë pjesë në procesin e primareve të “Foltores” për Bashkinë e Fierit.
Duke folur nga selia blu, Zhapaj u shpreh se është futur në këtë garë me besim për të ja rikthyer bashkinë qytetarëve pasi sipas tij sot në bashkinë e Fierit të rinjtë po largohen pasi nuk ka punë e shpresë. Zhapaj theksoi se ka ardhur kohë që bashkia të mos jetë më e qytetarëve tanë dhe të tyre dhe për këtë kërkoi mbështetjen e qytetarëve.
“Të nderuar miq, të nderuar shqiptarë Jam këtu para jush në këtë komunikim publik, që mua dhe shumë të tjerëve, na është ofruar si mundësi nga procesi i ri demokratik i primareve, për të shprehur vullnetin tim për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet vendore në Bashkinë e Fierit. Duhet të pranoj se kjo vendimmarrje nuk ka qenë e lehtë, pasi më parë ka kaluar nëpër një periudhë të gjatë reflektimi personal, konsultimi me miqtë demokratë, dhe diskutimi me kolegët, shokët dhe familjarët e mi. Natyrisht që më lehtësoi në këtë vendimmarrje procesi i primareve, të cilin e shikoj si një risi për çdo demokrat e demokrate, për çdo simpatizant e simpatizantë të PD që ndjen se mund të japë kontributin dhe idetë në shoqërinë tonë, shoqëri e cila sot më tepër se kurrë ka nevojë për demokraci, për liri, dhe për të drejta njerëzore e qytetare”, deklaroi Zhapaj.
Nga ana tjetër, edhe kryetari i Partisë Demokratike Belsh, Dritan Flamur Cani ka shpallur dje kandidaturën në procesin e primareve në bashkinë e Belshit. Duke folur nga selia blu, Cani tha se e ka marrë vendimin për të kandiduar për të ndryshuar realitetin në këtë bashki. Ai shtoi se Belshi ka një pozitë gjeografike shumë të favorshme për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë por sipas tij nuk ka investime, pasi bashkia është kthyer në pronë private dhe nuk u shërben qytetarëve. A i shprehet se ka gati një projekt për ta fituar bashkinë. Cani është emri i parë që ka dorëzuar kandidaturën për procesin e primareve në këtë bashki.
Diskutime rreth kësaj post