Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Duhet të ketë një propozim për Asociacionin në tryezë”, tha Hovenier në një takim me gazetarët në Prishtinë.
Ai, po ashtu, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Për më tepër, ai tha se Qeveria e Kosovës nuk duhet të nisë me gjobitjen e shoferëve që vozisin makina me targa të tilla.
Ky plan nisi të zbatohet më 1 nëntor, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që të shtyhet.
Janë rreth 9.000 makina me targa të paligjshme që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999.
Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë ato, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit për riregjistrim, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Ata kanë thënë se nuk do të rikthehen, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nuk e tërheq vendimin për riregjistrimin e makinave.
“Të gjithë jemi të shqetësuar për situatën në veri”, sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”, tha ambasadori Hovenier.
Ai, gjithashtu, tha se Qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me komunitetin serb, duke shfaqur shpresën se përfaqësuesit e tij do të kthehen në institucionet e Kosovës.
“Shpresojmë që kjo gjë të jetë e përkohshme”, tha Hovenier duke komentuar dorëheqjet e serbëve.
Tensionet në veri “për shkak të planit franko-gjerman”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi më 7 nëntor presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, për destabilizmin e situatës në veri dhe tha se kjo po bëhet për shkak të, siç u shpreh, refuzimit të planit franko-gjerman nga pala serbe. Ky plan, siç është raportuar, parasheh zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Kurtit, Vuçiç është duke i përdorur pjesëtarët e strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës për destabilizim.
Për Kosovën, sipas Kurtit, plani franko-gjerman është “hap në drejtimin e duhur”.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza. “Një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël – që ata thonë se është 1 për qind – do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, ka thënë Bislimi.
Vuçiç ka thënë muajin e kaluar se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të integrimit të shpejtë të saj në BE.
Kërkesa dhe “refuzimi” për formimin e Asociacionit
BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht kanë bërë thirrje që Kosova të bëjë hapa drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e këtij asociacioni në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.
Kurti ka deklaruar disa herë që është kundër formimit të një asociacioni njëetnik.
Serbia, në anën tjetër, insiston që asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive.
Diskutime rreth kësaj post