Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut rrisin shpenzimet
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kroacia është shpenzuesja më e madhe për ushtri, si në përqindjen nga Prodhimi Bruto Vendor që ndan për mbrojtje, ashtu edhe në vlerë totale.
Në vitin 2022 Zagrebi pritet të shpenzojë 1.4 miliardë dollarë në sektorin e mbrojtjes. Në raport me Prodhimin Bruto Vendor, shpenzimet e Kroacisë për mbrojtje përbëjnë rreth 2.03% të PBV-së. Kështu Kroacia tejkalon rekomandimin e NATO-s, që të paktën 2% nga PBV të destinohen për mbrojtje.
Tri vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi nuk e arrijnë parametrin e rekomanduar.
Maqedonia e Veriut shpenzon për mbrojtje 1.78% nga Prodhimi Bruto Vendor, Mali i Zi 1.75%, ndërsa Shqipëria vetëm 1.62%.
Në vlerë monetare, Shqipëria pritet të shpenzojë 293 milionë dollarë për ushtri këtë vit. Maqedonia e Veriut 247 milionë dollarë dhe Mali i Zi 107 milionë dollarë.
Të katër vendet kanë rritje në krahasim me vitin paraprak. Në vitin 2021, Kroacia shpenzoi 1.36 miliardë dollarë, Shqipëria 224 milionë dollarë, Maqedonia e Veriut 204 milionë dhe Mali i Zi 91 milionë dollarë.
Shpenzimet më të mëdha shkojnë për paga
Pagat në sektorin e mbrojtjes përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve të vendeve ballkanike. Kroacia shpenzon 54.6% të buxhetit të saj të mbrojtjes për paga, 30.5% për mjete ushtarake, 11.8% për operacione dhe mirëmbajtje ndërsa 3.2% për infrastrukturë.
Pagat për ushtrinë dhe personelin e mbrojtjes së Shqipërisë përbëjnë 46.6% të buxhetit për mbrojtje. Shqipëria shpenzon rreth 22% të buxhetit për operacione dhe mirëmbajtje, 20% për mjete ushtarake dhe 11.4% për infrastrukturë.
Në Maqedoninë e Veriut, pagat përbëjnë 40.4% të shpenzimeve të përgjithshme të mbrojtjes. Shkupi do të shpenzojë 31.1% të këtij buxheti për mjete ushtarake, 25.6% për operacione dhe mirëmbajtje si dhe 2.9% për infrastrukturë.
Mali i Zi nga ana tjetër ndan 53% të buxhetit të mbrojtjes për paga. Podgorica shpenzon 25% të buxhetit të mbrojtjes për mjete ushtarake, 14.8% për operacione dhe mirëmbajtje dhe 7.2% për infrastrukturë.
Kroacia me ushtrinë më të madhe në Ballkanin Perëndimor
Me personel ushtarak prej 15.200 ushtarëve, Kroacia ka ushtrinë më të gjerë nga 4 vendet e Ballkanit Perëndimor që janë anëtare të NATO-s.
E dyta vjen Shqipëria me 6.600 ushtarë, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 6.200 ushtarë. Mali i Zi ka vetëm 1.700 ushtarë, sipas të dhënave nga raporti i NATO-s.
Përndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ushtrinë më të madhe nga vendet anëtare të NATO-s me mbi 1.3 milionë ushtarë.
E dyta vjen Turkiye me 439.000 ushtarë. Turkiye ka ushtrinë më të madhe se Franca dhe Gjermania bashkë, të cilat kanë nga 207 mijë respektivisht 184 mijë ushtarë aktivë.
Diskutime rreth kësaj post