Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se në veri ka indikacione për elemente ruse, me qëllim të trazirave dhe përshkallëzim të situatës. Për zëvendësimin e posteve të policëve të dorëhequr, ai ka theksuar se do të plotësohen të gjitha nevojat dhe shpejt do të shpallen edhe konkurset për zyrtarë policor shtesë.
Në konferencë për media, ministri Sveçla deklaroi se situata e sigurisë është e qetë dhe se të gjitha institucionet e sigurisë janë duke punuar në kapacitetet e nevojshme.
Ai nuk ka mohuar se ka pjesëtarë rusë të përfshirë në atë çfarë po ndodh në veri.
“Ne po përcjellim situatën. Jemi jashtëzakonisht aktivë në mbledhjen e të gjitha informatave edhe të kësaj natyre. Ka edhe deklarime dhe indikacione se mund të ketë elemente të Rusisë, të cilat janë të interesuara të shkaktojnë trazira, eskalim të situatës atje. Unë jam i bindur që institucionet e Kosovës në koordinim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë janë të suksesshëm në parandalimin, neutralizimin e çfarëdo ndikimi negativ të kujtdo qoftë në raport me sigurinë atje”, ka deklaruar Sveçla.
Sipas Sveçlës, Policia e Kosovës është e pjekur dhe e aftë që të menaxhojë në situata të ndryshme.
Sa i përket zëvendësimit të pozitave të posteve të dorëhequr, ai u shpreh se kjo do të bëhet bazuar në rregullativën e brendshme të Policisë së Kosovës.
Sveçla në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, nuk është përgjigjur se a do të veshin policët sërish uniformën e dorëzuar, në rast të ndonjë marrëveshjeje. Ai shtoi se Policia e Kosovës është duke plotësuar detyrat e saj, në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in.
Diskutime rreth kësaj post