Në programin “Dola te Ola”, Ilir Meta ndër të tjera zbuloi pse ai dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi nuk kanë bërë dasmë. Meta tha se e kanë pasur të vështirë të vendosin për të ftuarit dhe dasma sipas tij, do t’u sillte probleme sikurse kishte ndodhur me një nga ditëlindjet që ai kishte festuar.
“Ne nuk bëmë dasmë, pasi na lindi vajza, por mendoj se bëmë shumë mirë, pasi edhe njëherë që bëra ditëlindje më shumë u krijuan probleme. Menduam kë do të ftojmë në dasmë, kë nuk do të ftojmë, pastaj si do t’i ulim. Shto faktin që je edhe në politikë dhe njerëzit kanë raportet e tyre, mund t’i kenë të mira me ty, por jo të shkëlqyera me njëri-tjetrin”, tha Meta.
Ai shtoi se është penduar edhe për ditëlindjen që ka festuar.
“Ishte dëshira e vajzës së vogël”, shtoi Meta.
Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij janë bekuar me tre fëmijë, e teksa gjatë bisedës u pyet për ta, ai i cilësoi si gishtat e dorës duke mos i ndarë dot. Ndërkohë për tiparet që do të specifikonte te ta, ai tha se Bora është shumë e përgjegjshme dhe e përpiktë, kurse Besarin dhe Erën i cilësoi si më miqësorë e të dashur.
Diskutime rreth kësaj post