Ilir Alimehmeti, kandidati i përfolur i PD-së për primaret në Tiranë, iu përgjigj rivalit të tij, Belind Këlliçi, i cili deklaroi se për Bashkinë e Tiranës duhet një kandidaturë politike. Duke folur në Klan News, Alimehmeti tha se për sa kohë ai është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, ai është kandidat politik.
“Politik është çdo person i cili ka dëshirën t’i futet një rruge të caktuar sepse ne të gjithë mbështetemi nga diçka që quhet Kushtetutë; pra çdokush ka të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. Derisa unë jam anëtar i Këshilit Kombëtar të PD patjetër, i jam futur një rruge të caktuar. Koha do ta tegojë, por e rëndësishme është të kuptojmë që ne jemi qenie sociale”, deklaroi Alimehmeti.
Pas hapjes së garës së primareve në PD, ka filluar edhe lufta e brendshme mes Belind Këlliçit, Gert Bogdanit dhe Ilir Alimehmetit, të cilët kane deklaruar kandidimin.
Pak ditë më parë, Këlliçi sulmoi Alimehmetin duke deklaruar se për garën përballë Veliajt në Tiranë duhet një kandidaturë politike dhe jo nga shoqëria civile. Duke folur në emisionin “Log” në ABC, Këlliçi tha se kushdo që e gjykon se përballja me Erion Veliajn nuk është betejë politike, në rastin më të mirë nuk është i sinqertë.
Diskutime rreth kësaj post