Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se nga dita e nesërme do të nisin me Ilir Metën përgatitjet për protestën kombëtare të 12 nëntorit.
Pas takimit të sotëm në selinë e PD, nesër Berisha e Meta do të dalin në një konferencë për shtyp e më pas do të takohen me të gjitha grupet e interesit në përgatitje të protestës.
“Sot patëm një takim shumë të mirë me Metën dhe Vasilin. Nesër në një konferencë shtypi të përbashkët do tu informojmë ju mbi rezultatet e këtij takimi. Tani gjithçka do të jetë në funksion të protestave, në mbështetje të plotë dhe totale të lëvizjes sindikaliste të universiteteve, në mbështetje të bizneseve të vogla dhe përpjekjeve të tyre për të mbijetuar në kushte të vështira. Do të mblidhet së shpejti fronti për shpëtimin e Shqipërisë. Do të ketë takime me qytetarët dhe aleatët, me grupet e interesit dhe të gjithë shqiptarët që mbrojnë kauza të drejta për tu bashkuar në protestën e madhe të 12 nëntorit”, tha Berisha.
Sipas tij Rama nuk meriton të qëndrojë më asnjë minutë në pushtet. Duke iu referuar shifrave ai tha se nga viti 2014 deri më sot, 27% e shqiptarëve kanë lënë vendin.
“Ky është një armik i egër i votës së lirë të shqiptarëve. Ky është një plaçkitës i paskrupullt përmes shtetit elektoral, nëpërmjet patronazhistëve dhe grupeve të tjera terroristë të kuq, nëpërmjet bandave kriminale. Ky është një armik i egër i interesit kombëtar të shqiptarëve. Se cili është Edi Rama në raport me interesin kombëtar të shqiptarëve e ka marrë vesh sot çdo shqiptar në vend dhe jashtë. Deklaratat e tij se do të zëvendësojë punëtorët shqiptarë me ata nga Bangladeshi, deklaratat se nuk lejon në universitet nxënësit që kanë mbaruar me nota të ulëta se do marrë studentë nga jashtë, deklaratat e tij se ikin dhe fajin e ka Gjermania, janë dëshmi e zbatimit të politikë së Cubrulloviçit. Nga 2014 deri më sot janë larguar nga Shqipëria 27% e shqiptarëve. Nuk ka luftë civile që në një hark kohor të tillë të shkurtër, të jenë larguar nga vendi 27% e shoqërisë. Rama është një anti-shqiptar i pakorrigjuar”, deklaroi Berisha.
Diskutime rreth kësaj post