Kryeministri i vendit Edi Rama, ka uruar Giorgia Meloni-n, e cila ka marrë sot zyrtarisht detyrën si Kryeministre e Italisë, ku në një postim në Twitter, kreu i qeverisë uron gruan e parë të zgjedhur kryeministre nga populli italian.
Ndërsa i uron homologes së tij fat, kryeministri kujton se Shqipëria i detyrohet shumë Italisë, me të cilën “na lidh një miqësi e lashtë dhe vëllazërore.”
“Urime gruas së parë të thirrur nga populli për të udhëhequr Italinë, një vend të cilit Shqipëria i detyrohet shumë dhe me të cilin na lidh një miqësi e lashtë dhe vëllazërore, e cila ka frymëzuar gjithmonë marrëdhëniet mes qeverive tona. Paç fat!”.
Giorgia Meloni, është bërë kryeministrja e parë grua e Italisë duke formuar një qeveri të koalicionit të krahut të djathtë.
Meloni u betua ditën e sotme para presidentit bashkë me 24 ministrat.
Të dielën në ora 12.00 do të zhvillohet mbledhja e parë e qeverisë Meloni dhe më 24 e 25 tetor, qeveria do të kërkojë votëbesimin në dy dhomat e Parlamentit italian.
26 ministra, 10 të zgjedhur nga Partia Fratelli D’Italia, 5 nga Forza Italia, 5 nga Partia “Lidhja” e 6 ministra teknikë është përbërja e ekzekutivit të drejtuar nga Giorgia Meloni, së bashku me dy zëvendëskryeministra, Matteo Salvini, njëherësh dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Antonio Tajani, koordinator i Forza Italia dhe Ministër i Jashtëm.
Diskutime rreth kësaj post