Nga: Agron Gjekmarkaj
Kronikë e pajtimeve të mëdha dhe gjërave të padukshme.
Nuk do lodhesha në këtë orë të vonë që të risillja në kujtesë ditën e enjte nëse nuk do të isha pajtuar me Albanën, pas kaq muaj mërie që honeve të zemërimit na përplasi duke tranuar mijëra zemra.
Ndanë banakut në barin e Kuvendit ku uji më vitamina na shoi yndyrën e idhnimit shkëmbyem fjalët e para si belbëzim pas një memecllëku të gjatë krejt si lulja e parë e prillit që akullin e fundit thërrmon.
Në atë vazhdë gëzimi u shfaq edhe zëvendës Lideri Muli pak i trazuar nga pusitë që i ngrihen në kuvend që të mos flasë dhe godasë, të kumbojë me forcën e tij të argumentit e logjikës brenda të cilave qeveria shfaqet me veset e saj të shumta.
Kjo dhimbje a preokupim e kishin bërë njerëzor dhe të dashur e në atë humus emotiv shkëmbyem idera qysh të bënet partia tok dhe furisë armike t’i bëjë ballë.
Zëvendës Lideri ma ktheu shikimin.
Por dita fillojë me heshtjen e shkurtër për dikë torturuese të Belindës, atje sipër në podiumin e drunjtë!
Mbi të thinjurin shesh të detit era fryn e mblidhen retë.
Ulsiu kruspull, i bërë sa një grusht priste.
Bela bëri 8 ore luftë.
Gjyle mbi Helidonin që plagët si Gjergj Elez Alisë i shtoheshin, bumje mbi Doktorin që si Sizifi ngjitej e binte, binte e ngjitej, me t’u duktë Stalingradi pesë me hiç.
Të vetët e shihnin me admirim dhe zili.
Babo po kaq nga zyra dhe vononte ardhjen i qetë.
Delina e cila vetëm kur flet nuk mendon, buzëqeshte nga mendimet që i lodronin nëpër fiqir si kërriçat në zabel.
Tao në krahun tim jepte e merrte me lumturinë.
Me shakatë e kripura si të Duçes e shkriu edhe Tonin që strehohet zakonisht në frigoriferin e arsyes.
Pas një fjalimi ku përkëdhelte të mirën e qeverisë si kërthiun në pëqi dhe ndihmën e Zotit kërkonte për t’i hequr opozitës mendimet e këqija edhe Toni qeshi me hukamë e hov.
Çudi gjithë ky gaz e potere as arriti ta cimbiste koracën e seriozitetit të Etildës që ashtu kokulur mbi kompjuter përcillte ditën politike pa iu dorëzuar monotonisë.
Majko që çoku ia merr ndonjë buzëqeshje nuk pat sukses dhe në vend të atij nuri mori një ngjatëtim nga gjeneral Kollçaku me Nasipin.
Ish-Kryeministri trazovaç nuk dukej edhe aq i gëzuar me suksesin.
Jorida fjalimin e parë e mbajti kur këndoi gjeli i parë, të dytin kur stomaku kërkonte bukë, ndërsa të tretin bash kur trupi lypte gjumë e shpirti paqe.
Të katërtin e shkroi në ëndërr.
Gaz Bardhi si Baca i Gjetajve rrinte në krye tavolinash duke rrëfyer ankthin e negociatave.
Në kafe ulur meqenëse Doktori dhe Babo nuk po vinin e partneritet në sallë nuk kishte zhytej në murrëtim.
Kosta i Gramozit dhe Linditës shihej sa në një qoshe sa në një tjetër duke tundur kokën si për të na kujtuar se ditë e kiametit po vjen o të paudhë dhe ai është lajmëtari.
Salianji pasi hodhi benzine me bidona që nuk i mbarohen në çdo zjarr të ndezur, sherr kudo gjet paqe, llafe ku kishte rënë heshtja , zallamahi ku kishte dremitje, iku i uruari të hajë që të merrte forca për një raund të ri koherence.
Armiq nga të gjitha anët e kanë rrethuar qerratanë po jepet ay? Qesh si më i bukuri shejtan mbi katua.
Niko qerratai dhe Mimi di Puçini kuvendonin plot mbrothësi, futa turinjtë edhe unë nja pesë minuta i paftuar duke lënë mënjanë sagën e Kalabrisë, ku Mimia ecte përpara, ne nga pas, Mimia fliste, ne heshtnim të gëzuar.
Ashtu nën bekimin e Nikos sikur u ndamë me të kaluarën dhe modestinë e Mimisë që aq shumë me pat lënë mbresa në një paqe të qëndrueshme.
Syzet e Krifcës na munguan të gjithëve.
Denajn e shtrëngonin këpucët e reja.
Parehatia e saj ngjante me shikimet e Braçes.
Befas një trok u dëgjua në sallë, ishte Grida.
Ajo shihte hijen e saj e cila i hapte rrugën nga shikimet si pararojë spartanësh, teksa Nora e Kelmendit i përkëdhelte sedrën për t’i punuar qindin pashait.
Jyrgys Çyrbja vara-vingo bënte i paduruar me veshët të ngritur lart në mos ndoj fjalë të pamirë për Babon i zinin ato dhe gjëmën kishte si ofertë si re të zezë në tavan dhe psherëtimën, ah qafira-qafira.
Ec e ec, fol e fol dita po shuhej pa maja.
Diku më zunë sytë Elisën duke u përleshur me një byrek i cili e kishte mbuluar pjatën cep më cep, ngaqë Doktori ënde nuk po mbërrinte dhe një betejë i duhej.
Mbeta pa përgjigje kur pyeta veten si e ruan elegancën me ato karbohidrate në xhiro?!
Tigrushi si Kostandini u pa kalimthi si dëshmi që mund të shkosh në të përtejmen botë politike e të kthehesh prapë si zefir.
Dash Sula si një bard i fyer në epin e tij nuk pipëtinte nga mos vëmendja për estetiken e lartë në të veshur. Një kollare e re i shkëlqente si dekorate.
Kreshnik Çollaku ndiente pikëllim për një metaforë të pa thënë në një rrugicë.
Tezja si burbuqe buçiste nga lumturia, hareja i rrinte përsipër si pelerinë ushtaresh nën shi.
Aty këtu ndalej dhe qeraste miletin me gëzim.
Teta Gerta siç e thërret Bora kaloi një ditë të qetë mes buzëqeshjeve me masë e një serioziteti jo nervoz derisa erdhi Doktori i cili e gjuajti me të vetat dhe një “të rëntë pika, mos bëfsh hajër, të shoftë mortja” erdhi nga sipër.
Xhela i cili po përgatit rikthimin në Kamëz si Napoleoni nga Egjipti ndihej në vendin e huaj si replikë ne muzeum.
Margeriti pat një ditë pothuaj në limonti me dilemën të rri apo të iki, harresa e Ina Zhupës kishte rënë mbi të si qetësia pas murrlanit, por jo mbi Kushin që nuk di më se çfarë është paqja qëkur pedagogët duan rroga më të mira.
Mesnata mbërriti si pakuptuar e bashkë me të edhe Luli i cili errësirën kishte pritur si rreng për sytë kureshtarë.
Dikush pyeti, po ky ç’pat pse u mundua, sikur e kishim harruar?! Eh u bëmë Parti me dy lidera historikë.
Ah se desh harruam Babon.
Ai erdhi më në fund dhe meqenëse At Zef Pllumin citoi tre herë për të hijeshuar fjalën e tij të gjatë, m’u kujtua shprehja e fratit të kujtimeve ” i mjerë ai popull që nuk ban zap bijtë e vet të këqij”./Balkanweb
Diskutime rreth kësaj post