Edi Paloka dhe Gazmend Bardhi u takuan dje për më shumë se një orë në një lokal përballë parlamentit në përpjekjen e parë që dy grupimet në PD të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale.
Në përfundim të takimit ata ishin shumë të rezervuar për mediat, por të dy u kujdesën të thonë se bisedimet do të vijojnë.
Sipas Edi Palokës, i mandatuari i Berishës për këtë takim, biseda e parë me Gazmend Bardhin, të mandatuarin e grupit të Alibeajt, kurrsesi nuk mund të quhet e dështuar.
Sipas informacioneve, mësohen detaje nga kjo bisedë dhe pikën kyçe ku dy palët ndahen e që nëse vijon të mbetet e tillë rrezikon që ta çojë PD-në me 2 kandidatë në zgjedhjet lokale. Mësohet se Edi Paloka i ka ofruar Bardhit që kandidatët e mbështetur prej grupit të Alibeajt, të bëhen pjesë e primareve që po organizon PD.
Paloka ka premtuar një proces transparent e të ndershëm në këto primare, në fund të të cilit, do të nominohet si kandidat për kryetar bashkie ai që ka marrë më shumë vota. Por Gazmend Bardhi e ka kundërshtuar këtë ide. Sipas tij, futja e të gjithë kandidatëve në primare do ta çajë PD-në më shumë sesa është sot e përçarë.
“Primaret sipas udhëzimit tuaj i organizojnë degët e seksionet. Cila degë do t’i organizojë ato, dega që keni zgjedhur ju apo dega që njohim ne?”, ka qenë pyetja e Bardhit.
Si zgjidhje ai ka propozuar përzgjedhjen e emrave potencialë për kryebashkiakë dhe hedhjen e tyre në sondazhe lokale. Kjo alternativë është pëlqyer së fundmi edhe nga Agron duka e Dashamir Shehi, dy aleatë të PD. Takimi i parë mes Bardhit e Palokës nuk prodhoi ndonjë rezultat, por vetëm një sinjal pozitiv.
Axhenda e shpërndarë mbrëmë nga selia e PD bën të ditur se evidentimi i kandidatëve brenda opozitës që do t’i nënshtrohen primareve do të zgjasë deri në 6 nëntor. Deri në këtë ditë, duket se do të vijojnë edhe përpjekjet brenda PD për të dalë me një emër në garën për zgjedhjet lokale.
Diskutime rreth kësaj post