Sulmet ajrore të Rusisë me raketa ndërprenë furnizimin me ujë dhe energji për mijëra ukrainas të martën. Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski tha se sulmi është pjesë e fushatës ruse për ta lënë Ukrainën në të ftohtë dhe në errësirë.
Sipas tij, rreth një e treta e stacioneve elektrike të Ukrainës janë shkatërruar gjatë javës së shkuar duke lënë pjesë të tëra të vendit në terr të plotë.
“Nuk ka më vend për negociata me regjimin e Putinit”, tha përmes një reagimi në twitter zoti Zelenski.
Privimi i njerëzve nga uji, energjia dhe ngrohja teksa po afron dimri dhe përdorimi i beftë i dronëve vrasës shënojnë një etapë të re në luftën e Presidentit Rus Vladimir Putin.
Bombardimet ajrore duket se synojnë të godasin rezistencën që kanë treguar ukrainasit, prej 8 mujash, që nga dita e parë që u përballën me agresionin rus.
Shërbimet bazë nuk janë më të sigurta edhe larg vijave të para të luftës, si pasojë e sulmeve të përditshme ajrore që dëmtojnë strukturat kyçe, duke shkaktuar ndonjëherë dëme të pariparueshme.
Qyteti i fundit që mbeti plotësisht pa energji dhe ujë ishte Zhytomyri, me rreth 250 mijë banorë, një qendër e bazave ushtarake dhe industrive. Ai ndodhet rreth 140 kilometra në perëndim të Kievit.
Zyrtarët thanë se spitalet e qytetit vunë në punë gjeneratorët pas goditjes me raketa të martën të një stacioni elektrik. Edhe vendbanime të tjera në zonë mbetën pa energji.
Në kryeqytet, në Kiev, sulmet ajore dëmtuan dy impiante energjitike dhe vranë dy persona, thanë autoritetet. Sulmi la 50,000 qytetarë pa energji elektrike.
Gjithashtu sulmet dëmtuan rëndë një njësi energjitike në qytetin e Dnipros.
Rusia po përdor mjete të ndryshme për sulmet e saj.
Raketat anti-ajrore S-300, të ripërshtatura për të goditur në tokë, u përdorën gjatë sulmeve në Myloaiv, ndërsa arsenalet e raketave të tjera po i mbarohen.
Në qytetin lindor të Kharkivit, një zonë industriale u godit nga tetë raketa të lëshuara pranë kufirit me Rusinë.
Një seri dronësh vetëvrasës të mbushur me eksplozivë goditën gjithashtu Kievin të hënën, me objektiv stacionet e energjisë duke shembur pjesërisht ndërtesat. Një dron u përplas me shtëpi, duke vrarë katër persona.
Ukraina thotë se Rusia po merr mijëra dronë nga Irani. Dronët Shahed, të prodhuar në Iran, që goditën objektivat në Kiev, janë përdorur gjerësisht nga Rusia, në javët e fundit.
Vetëm gjatë javës së kaluar, më shumë se 100 dronë të prodhuar nga Irani kanë goditur centralet elektrike, impiantet e trajtimit të ujrave të zeza, shtëpi, ura dhe objektiva të tjera në zonat urbane, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës.
Në një fjalim televiziv të hënën mbrëma, Presidenti Zelenski tha se Rusia po përdor dronët pasi po humbet terren në luftë.
“Rusia nuk ka asnjë shans në fushën e betejës dhe po përpiqet të kompensojë humbjet e saj ushtarake me terror, për të ushtruar presion mbi ne, mbi Evropën, mbi të gjithë botën”, tha Presidenti Zelenski./REL
Diskutime rreth kësaj post