Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, gjatë flasë së tij në Shkollën e Magjistraturës ka paralajmëruar “tërmet” në radhët e policisë.
Nisur nga situata në të cilën ndodhet vendi dhe ngjarjet kriminale të pazbardhura, Rrumbullaku bëri me dije se ka kërkuar një reformim të plotë të Policisë së Shtetit, sa ligjor, arsimor dhe strukturor.
Qëllimi është krijimi i një trupe të aftë profesionistësh për t’u përballur me krimin dhe për të përmbushur misionin që ka Policia e Shtetit.
“Jam i bindur se forcimi i strukturave të hetimit të krimit, është çelësi i suksesit për rritjen e efektivitetit të strukturave të posaçme të luftës kundër krimit të organizuar dhe për dokumentimin me prova ligjore të zbulimit të autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura, si dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Mbështetur në këtë bindje, eksperiencë dhe përvojë, kam kërkuar një reformim të plotë të Policisë së Shtetit, sa ligjor, arsimor dhe strukturor, me qëllim krijimin e një trupe të aftë profesionistësh për t’u përballur me krimin dhe për të përmbushur misionin që ka Policia e Shtetit, krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët e vet, vizitorët dhe turistët që vizitojnë vendin tonë.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se institucionet e drejtësisë penale kanë një mision shumë të rëndësishëm, atë të përballjes me krimin e organizuar, i cili nuk kërkon thjesht dhe vetëm pasurimin e disa personave apo grupeve kriminale, por kërkon të sfidojë drejtësinë, rendin e sigurinë dhe të pengojë zhvillimin demokratik të vendit, ndaj është e nevojshme që të kemi oficerë të mirëtrajnuar, të aftë profesionalisht, me integritet të lartë moral dhe profesional, inteligjentë, me kurajo për t’u përballur me krimin, si dhe me aftësi të veçanta në fushën hetimeve penale.
Drejtori i Policisë pranon se në veprimtarinë për sa i përket luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ka nevojë për përmirësim të vazhdueshëm të kapaciteteve njerëzore dhe logjistike të strukturave të hetimit të krimit.
Diskutime rreth kësaj post