Elona Gjebrea, ish-deputetja socialiste zgjidhet përfaqësuese e vetme e Shqipërisë nga organizata prestigjoze italiane e Mjekësisë Ambjentale (SIMA, Societa Italiana di Medicina Ambientale). Gjebrea do të jetë pjesë e bordi Ndërkombëtar të kësaj organizate duke kontribuar edhe për vendin tonë për të prezantuar rëndësinë që kanë strategjitë mjedisore dhe hapat që duhet të ndiqen nga vendi ynë për t’i garantuar qytetarëve nisma konktete të përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe uljes së nivelit të ndotjes.
Ky është një tjetër vlerësim për ish-deputeten Gjebrea për të qenë pjesë e organizmave ndërkombëtar pas angazhimit të saj të sukseshëm në asamblenë Parlamentare të OSBE-së.
Përmes një artikulli të publikuar nga ogranizata italiane e mjekësisë ambientale SIMA, Znj. Gjebrea ndan një analizë ‘Cilësia e ajrit, fenomen global’ që i referohet situatës aktuale në vendin tonë dhe përpjekjet e bëra për të reduktuar ndotjen.
Sipas Znj.Gjebrea ndotja e ajrit është rreziku kryesor mjedisor në botë për shëndetin dhe shkaku i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet të ndryshme si ato të zemrës, goditjeve në tru, kancerit të mushkërive, pneumonive, diabetit të tipit 2, çrregullimet neonatale etj.
Ndër të tjera në artikullin e publikuar, ish deputetja shkruan se Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka miratuar tashmë një plan kombëtar për menaxhimin e cilësisë së ajrit që rregullon standardet kombëtare për cilësinë e tij si dhe reduktimin e emetimit të ndotësve kryesorë të ajrit, duke përfshirë emetimet nga industria dhe transporti.
Në Shqipëri, kohët e fundit ka patur disa iniciativa të ndryshme që synojnë përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe reduktimin e ndotësve atmosferikë, si përcaktimin e ditës së dielë si dita pa makina si dhe ndërhyrjet në infrastrukturë në krijimin e korsive të dedikuara për bicikleta.
“Përveç kësaj, ekspertët sugjerojnë futjen e më shumë kontrolleve të cilësisë për karburantet dhe në kantieret e ndërtimit”– shkruhet në artikull.
Znj. Gjebrea shprehet se vendi ynë është në një moment të rendësishëm përsa i takon integrimit, ndaj Shqipërisë i parashtrohen disa cështje me rëndësi. “Hapja e procedurave të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të përkthehet shpejt në nisma të mëtejshme që synojnë përafrimin e legjislacionit dhe hapa konkretë në përmirësimin e cilësisë së ajrit përmes standardeve më të rrepta evropiane, në dobi të të gjithëve”- shkruan ajo.
Kjo analizë mjedisore e ish-deputetes Gjebrea, publikimi i saj nga organizata italiane SIMA, vjen pas një përvoje të gjatë si akademike dhe kërkuese shkencore. Elona Gjebrea mban titullin Doktore e Shkencave dhe ka kryer doktoraturën në Mbreterinë e Bashkuar në fushën e shkencave natyrore dhe është fituese e bursës prestigjioze Chevening të në vitin 2002. Ajo është autore e shumë artikujve shkencorë dhe lektore në universitet shqiptare që prej vitit 1999.
Diskutime rreth kësaj post