Nëse shqiptarëve u ofroi garanci se situata qe nën kontroll pas sulmit kibernetik të Iranit, kryeministri Rama foli ndryshe për të huajt, në një prononcim bombë me gazetaren Maggie Miller të Politico.
Kështu, Rama i ka thënë gazetares se kishte menduar të evokonte “Nenin 5” të NATO-s, pas sulmit kibernetik të Iranit ndaj vendit tonë. “Neni 5” parashikon se nëse një vend i NATO-s sulmohet, atëherë të gjithë vendet antare konsiderohen të sulmuar, çka nënkupton edhe kundërpërgjigjen në bllok të aleancës.
Me pak fjalë, Edi Rama pranon se për një moment ishte gati të fusë në luftë NATO-n me Iranin, të cilin e bën përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj shtetit shqiptar.
Mendimi, nëse do të kishte baza reale, do të ndryshonte ekulibrat globalë në një kohë mjaft të pasigurtë. Fatmirësisht nuk i ka zgjatur për shumë kohë.
Reflektimi për skenarin e luftës nga Rama
Në prononcimin për Politico, Rama tregon se çfarë e bëri të reflektonte dhe të mblidhte veten duke sqaruar: “Kam shumë respekt për miqtë dhe aleatët tanë për t’u thënë atyre se çfarë duhet të bëjnë. Ne jemi gjithmonë shumë të kujdesshëm që të jemi shumë të përulur në vlerësimet tona.”
“Ishte e tepërt për ne të mendojmë dhe të arrijmë në vendimin se duhet t’i kërkojmë NATO-s të nxisë Nenin Pesë,” vazhdoi Rama.
Titulli bombastik ne Politico
Deklarata ka kapur një titull bombastik në Politico, që e ka marrë në analizë mundësinë reale të një skenari të tillë, përmes shpjegimeve të zyrtarëve të lartë të aleancës.
Si e trajton NATO sulmin kibernetik
Rezulton se edhe sikur t’i kishte shkuar deri në fund idesë për të testuar unitetin e NATO-s në një moment delikat, Rama nuk do t’ia kishte arritur qëllimit.
Gazetarja kujton se Neni 5 është thirrur vetëm një herë, pas sulmeve të 11 Shtatorit në SHBA, që sigurisht nuk kanë të krahasuar me sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.
Kur bëhet fjalë për sulme virtuale, si ai që ndodhi në Shqipëri, Stoltenberg është shprehur ftohtë në vitin 2018.
“Më pyesin shpesh, ‘në çfarë rrethanash NATO do të nxiste Nenin 5 në rastin e një sulmi kibernetik?” Përgjigja ime është: do të shohim”, tha Stoltenberg në atë kohë.
Lexo edhe: “Politico”: Edi Rama lideri më i parëndësishëm i Europës
Deklarata e fortë e ka bërë gazetaren e Politico të kujtojë edhe një herë se sa e vogël është Shqipëria, në raport me vendet e tjera të NATO-s dhe në këtë linjë i ka shkëputur një lutje Ramës për ndihma në dollarë për sistemet kibernetike.
Disa vite më parë, një renditje e Politico e konsideroi Edi Ramën si liderin më pak të rëndësishëm të Europës dhe të rajonit.
Ndoshta për ta fashitur këtë shije të keqe, kryeministri i Shqipërisë nuk i ka rezistuar tundimit t’u japë lexuesve anglishtfolës një ide të rëndësisë që mendon se mund të ketë, në një situatë hipotetike.
Diskutime rreth kësaj post