Klevio është vetëm 19-vjeç, por mosha e re nuk e ka penguar që të sfidojë vetën dhe të marrë një rrezik të madh mbi supe, për të kaluar kanalin e “La Manshit” drejt Britanisë së Madhe me gomone. Si shumë të rinj shqiptar Klevio vendosi të emigrojë për një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Europian. Për disa muaj ai qëndroi në Gjermani ku edhe punoi me kohë të pjesshme. Por ëndrra e tij ishte pikërisht Britania e Madhe, për të cilën la familjen në moshë fare të re, me shpresën se do të gjente dhe siguronte një jetë më të mirë për vete dhe për familjen që jetojnë në një fshat të Shqipërisë.
Klevio tregon për Abcnews.al, se kontaktin me trafikantët e ka gjetur nëpërmjet platformës “Tik Tok”, ndërsa nga Gjermania ka kaluar në Francë, për të vazhduar më pas drejt Britanisë së Madhe me gomone. Trafikantët i kishin kërkuar 3.5 mijë paund për të kaluar me gomone drejt brigjeve të Britanisë së Madhe.
Por si komunikohej me trafikantët?
E gjitha shumë e thjeshtë. Ata nuk ruhen pothuajse fare. Klevio thekson se i gjithë komunikimi me ta bëhej nëpërmjet “Whatsapp”. Pas kontakteve të para, Klevio është drejtuar për tek një kamp pranë Calais. Ai tregon se ka fjetur aty për dy net rresht për shkak se grupi po organizohej ndërsa po pritej që deti të qetësohej nga dallgët. Dy ditë të tjera 19-vjeçari tregon si i ka kaluar në pyll pranë zonës ku u ishte thënë se do të nisej gomonia për në Britaninë e Madhe. Nisjen grupi i shqiptarëve e ka bërë 3 orë larg vendit ku po qëndronin për shkak se në atë zonë kishte kontrolle të shumta policisë. Klevio nuk e kujton fiks zonën ku kanë bërë nisjen për shkak se celularët i kishin të fikur.
Si u bë kalimi drejt Britanisë së Madhe?
Klevio , tregon se do të ishin orët e para të mëngjesit të 28 shtatorit, për përgatitjet e fundit për në Britaninë e Madhe. Ai tregon se kanë shkuar pranë gomones në errësirë dhe kanë hipur mbi të. Bashkë me Klevion kanë qenë edhe 43 persona të tjerë, ndërsa në gomone kanë qenë edhe dy familje me 6 fëmijë të mitur. Fatmirësisht udhëtimi shkoi mirë për ta edhe pse deti kishte dallgë të mëdha. Udhëtimi sipas Klevios ka zgjatur për rreth 6-7 orë, ndërsa sapo janë afruar në brigjet britanike, policia i ka marrë me anijen e tyre të shpëtimit.
Mbërritja në Britaninë e Madhe
Policia e Britanisë së Madhe i ka dorëzuar 44 shqiptarët mes tyre edhe 6 fëmijë, në një kamp, ku u kanë dhënë rroba dhe ushqim. Për rreth 5 orë kanë qëndruar në kamp ndërsa u janë marrë mjetet e identifikimit dhe shenjat e gishtave. Pas qëndrimit paraprak, Klevio tregon se policia i ka dërguar në një kamp më të madh ku kishte qindra shqiptarë të tjerë. Pas disa orësh, Klevio tregon se autoritetet janë të detyruar që të nxjerrin nga kampi për shkak të kapaciteteve të vogla dhe tejmbushjes.
“Nëse je me fat, të çojnë në hotel” tregon Klevio . I riu shpjegon se rruga e gjatë dhe aventura i kishte lodhur dhe se policia i kishte dërguar ata në dhoma hoteli. 19-vjeçari rrëfen se pas disa orësh qëndrimi dhe pasi kishte marrë veten nga lodhja e udhëtimit të jetës, kishte dalë nga hoteli. Me anë të një taksie ishte larguar nga ty dhe kishte komunikuar me disa miq të tij që prej vitesh i kishte në Britaninë e Madhe.
Klevio, që ditën e dytë që ka takuar miqtë e tij, tregon se ka gjetur punë në ndërtim. Në fillim sipas tij ishte tronditje e madhe për shkak se priste diçka komplet të ndryshme nga ajo që e priti atje. Sipas tij Britania e Madhe ishte një vend sfidues dhe sfilitës, ndryshe nga sa ja kishin përshkruar. Ai shton se në Britaninë e Madhe shkoi me idenë “të provoj edhe unë”, por në fakt sipas tij është një risk që nuk ja vlen të merret përsipër. Duke kujtuar muajt që kaloi në Gjermani, Klevio thekson se ka shumë mënyra të tjera më të mira për të qëndruar në Gjermani apo vende të tjera të BE.
Intervista e plotë e Abcnews.al, me emigrantin 19-vjeçar Klevion :
1. Si re në kontakt me personat që të siguruan kalimin?
Kontaktin e personave e gjeta nëpërmjet rrjetit social “tik tok” dhe aty kam biseduar pastaj më dërgoi numrin e telefonit që ishte numër francez.
2. Me çfarë komunikonit?
Në fillim kemi komunikuar nëpërmjet tik tokut pastaj në Whatss app.
3. Sa para ke paguar dhe sa herë ke tentuar të kalosh?
Kam paguar 3.5 mijë £ në momentin që jemi kapur nga policia angleze herën e parë që kemi tentuar kemi kaluar pa asnjë problem.
4. Kishte persona të grupit që ju priste kur niseshit dhe si merreshit vesh me njëri tjetrin për kalimin?
Kemi biseduar në Whats app më dërgoi lokacionin dhe kam shkuar vet me taksi në destinacion që ishte kampi.
5. Sa ditë ndenje në pritje? Si arritët të kalonit?
Kemi ndenjur dy ditë në kamp dhe dy ditë në mal afër bregut duke pritur për të bërë nisjen dhe nisjen mos gaboj e kemi bërë rreth orës 2 të mëngjesit.
6. Sa veta kaluat në të njëjtën kohë me gomone drejt Anglisë? A kishe fëmijë apo familjarë?
Në gomone kemi qenë 44 persona kemi patur dhe dy familje me nga 3 fëmijë për familje.
7. A kishte një vend të caktuar se ku do të niseshit në det, apo ku të ishte më afër?
Kemi bërë nisjen 3 or larg Calais sepse atje kishte më shumë kontrolle policie vendndodhjen nuk e di saktësisht sepse i kemi pasur telefonat e fikur gjatë rrugëtimit.
8. Sa zgjati udhëtimi?
Udhëtimi ka zgjatur rreth 6 orë e gjysmë.
9. Cfarë ndodhi kur mbërritët në Angli?
Mbasi na kapi policia angleze na morën ne skafin e tyre dhe kemi dal në breg pastaj atje po na priste autobusi që na shoqëroi të kampi atje na mbajtën çdo gjë që kishim me vete dhe na dhanë rroba për tu ndërruar sepse ne ishim lagur qe të gjithë edhe me ngrënë gjithashtu kemi prit 4-5 orë aty se po paketonin rrobat dhe sendet që kishim me vete dhe aty kemi dhënë shenjat e gishtave dhe mjetet e identifikimit i kanë mbajtur ato nuk na i kanë kthyer më. Pastaj na dërguan në një tjetër kamp ku aty ishin shumë shqiptarë dhe të huaj gjithashtu na sillnin për të ngrënë dhe ishim ne pritje se çfarë do na thonin. Pastaj nga kampi na dërguan ne hotel dhe na dhanë çdo personi kartën për të hyrë në dhomë.
10. Si arrite të dalësh i lirë nga mbikëqyrja e autoriteteve?
Atë ditë kemi ndenjur ne hotel sepse ishim shumë të lodhur të stresuar nga rruga dhe në mëngjes thjesht fare kemi zbritur të recepsionisti i hotelit dhe i kemi thënë që duam te pimë cigarë ose një gënjeshtër tjetër nga me të ndryshmet.
11. Ishte dikush që të priste?
Pasi kemi ikur prej hoteli kemi marr taksi dhe kemi nga ikur prej hoteli.
12. Ishte e vështirë të gjejë punë ne Angli?
Ne fillim ishte vështirë për të gjetur punë po pastaj nëpërmjet të afërmve tonë kemi gjetur disi punë.
13. Pse vendose te lesh Gjermaninë për të shkuar drejt Anglisë ?
Vendosa te lej gjermanin sepse njerëzit qe kisha këtu ne Angli ma ekzagjeronin Anglinë që është më mirë dhe aty vendosa te ik pse mos ta provoj dhe un si gjithë shqiptarët e tjerë.
14. A ke menduar të merresh me punë të jashtëligjshme nëse të ardhurat e tua nuk shkojnë siç e kishe menduar ?
Nuk e kam menduar një herë për punë të jashtëligjshme sepse nuk jam person i asaj fushë.
15. Sa ja ka vlejtur i gjithë ky rrezik i marrë përsipër ?
Për mendimin tim me sa po shoh un Anglinë nuk ja vlen të rrezikosh jetën për të ardhur në Angli sepse i ka mbetur vetëm emri asgjë tjetër ka shumë mënyra tjera neper Europë si Gjermani që kam jetuar vet dhe është shumë më mirë Gjermania se Anglia.
Diskutime rreth kësaj post