Tre ditë më parë qeveria shqiptare vendosi mbylljen e kolegjit turk “Mehmet Akif”, një institucion arsimor jopublik parauniversitar dhe kopshtit për fëmijë “Zubeyde Hanim”, pjesë e rrjetit “Turgut Ozal Education”, të shënjestruar nga qeveria turke dhe presidenti turk Erdogan si “terroristë”, pasi lidhen me lëvizjen e klerikut Fetullah Gylen.
Ministria e Arsimit deklaroi se godina e re e kolegjit turk “Mehmet Akif”, në Mëzez, nuk plotësonte kushtet dhe, sipas saj, kjo ishte arsyeja e mbylljes.
Por, dje, biznesmeni nga Vlora, Sinan Idrizi, pranoi për “Euronews Albania” se kishte kishte blerë ndërtesën e vjetër të kolegjit turk “Mehmet Akif Ersoy” te “21 Dhjetori”, në Tiranë, si dhe ndërtesa të tjera në disa qytete të vendit.
Biznesmeni tha se transaksioni me pronarët e “Mehmet Akif”, ishte bërë disa muaj më parë dhe ai është tashmë pronari ligjor i ndërtesës në Tiranë dhe në disa qytete të tjera, që do të shfrytëzohen në vijim në sferën e arsimit.
“Unë nuk kam blerë vetëm godinën ku bëhet fjalë tek “21 Dhjetori”. Kam që nga viti i kaluar që kam blerë për të investuar në sistemin arsimor të Shqipërisë, në Shkodër, në Korçë, në Tiranë, jam duke negociuar për në Vlorë dhe në Berat. Janë dy gjëra krejt të ndryshme. Dëshira ime për të investuar në sistemin arsimor duke blerë pasuri të patundshme, objekte që kanë qenë në disponim të këtyre grupimeve dhe gjë tjetër licencimi apo jo nga Ministria e Arsimit. Unë i kam blerë këto godina dhe pronari i tyre ligjor jam unë”,-tha ai.
Ai deklaroi se ishte bërë një marrëveshje shumë korrekte, shumë serioze me ish-poseduesit e këtyre objekteve, një marrëveshje në kuadër të ligjit shqiptar, brenda çdo lloj procedure, e dorëzuar në mënyrë korrekte nga të gjitha palët.
“Nuk e di ç’lidhje kanë komentet me këto që kam blerë unë. Investimi im aty do të jetë vetëm në arsim. Përrallat dhe historitë me ndërtim kullash në mes të Tiranës, më bëjnë pak një retro më çojnë në kohët kur kam marrë Flamurtarin, do prishja stadiumin e do ndërtoja kullat. Unë dua të investoj në arsim, por në Shqipëri, të investosh në arsim ka gjithmonë një pikëpyetje nga mbrapa, ndërsa të jesh një kriminel që merresh me banda je njeri i nderuar. Do të investoj në arsim, mund të kem sukses, por edhe mund të dështoj. Historia e komplotit nuk funksionon”-deklaroi Idrizi, që shtoi se “Problemet e shkollës me ministrinë e Arsimit nuk janë të miat, marrëveshjen unë me ta e kam patur korrekte. Kam mbi dy vite që unë po blej godina për të hyrë në sistemin arsimor, ndërsa këtë godinë e kam blerë para disa muajsh”.
Transaksioni më i fundit në fushën e arsimit, vjen pas disa vitesh fushate agresive të presidentit Erdogan dhe të qeverisë turke ndaj qeverive ballkanike, veçanërisht asaj shqiptare, për të mbyllur të gjitha bizneset që dyshohet se drejtohen nga “celulat gyleniste” në arsim, apo shëndetësi.
Gjatë viteve të fundit, disa instucione të tjera arsimore të “gylenistëve”, janë blerë nga biznesmenë që thuhet se kanë mbështetjen e qeverisë turke.
Idrizi nuk pranoi se kishte ndikime të tilla në blerjet e fundit që ka bërë në arsim, ku ka ambicien për të hyrë, edhe pse ka dështuar në disa të tjera si në sport dhe transport ajror.
Idrizi i bëri komentet nga Nju Jorku, ku ndodhet edhe shefi i qeverisë shqiptare, që po merr pjesë në punimet e Asamblesë vjetore të OKB-së.
Ai tha se ishte krenar që e kishte mik kryeministrin Rama, edhe pse shpjegoi se qenia e të dyve në kryeqytetin e botës ishte një rastësi.
Sinan Idrizi, njihet më së shumti në vend si ish-president i klubit Flamurtari, tashmë në kategori të dytë, pas falimentimeve të njëpasnjëshme dhe si bashkëpronar me turqit i kompanisë ajrore “Air Albania”.
“Air Albania” që është akuzuar si një kompani private e shefit të qeverisë shqiptare është një shoqëri ku kanë aksione kompania turke “TÜRK HAVA YOLLARI”, shoqëria aksionere shqiptare “ALBCONTROL” dhe shoqëria “MDN INVESTIMENT” me administrator Sinan Idrizin.
Sipas ekstraktit historik të biznesit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, zotërues të 25% të “Air Albania” janë Najada Idrizi, bashkëshorte e Sinan Idrizit dhe Rejana Idrizi, e bija.
Statusi i kompanisë u deklarua i pezulluar nga QKB që nga 1 shtatori. “Air Albania” ka dorëzuar në QKB vetëm bilancin e vitit 2018, kur nuk kishte akoma aktivitet, por jo bilancet e viteve 2019 dhe 2020, afati i të cilëve ka përfunduar me kohë.
Bilanci i vitit 2021 kishte kohë të dorëzohej deri në 15 shtator 2022, ndërsa zv.kryeministrja Belinda Balluku ishte shprehur se se bilanci do të depozitohej brenda afatit.
Përkundër akuzave të opozitës se kompania po përdoret si çarter personal i kryeministrit shqiptar dhe se ka falimentuar, Idrizi u shpreh dje se sot “Air Albania” është në treg me 7 avionë të rinj.
Diskutime rreth kësaj post