Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, është shprehur se është pro një bashkimi opozitar në zgjedhjet lokale, ku në një prononcim të dhënë së fundmi, ai tha se “përtej pakënaqësive midis palëve brenda PD-së, është jetike për vendin që ky ngërç të tejkalohet sa më parë në forcën kryesore të opozitës, sepse ndërkohë që ne nuk kemi nisur ende organizimin, Partia Socialiste e ka nisur fushatën”.
“Kam ndjekur me vëmendje qëndrimin e demokrateve të Mirëditës, të shprehur nga z. Alfred Duka, i cili nuk sintetizon vetëm vullnetin e tyre për bashkim përpara zgjedhjeve vendore brenda radhëve të Partisë Demokratike, por edhe një këmbanë alarmi për opozitën në të gjitha grupimet e saj, pasi zgjedhjet vendore janë pak muaj larg dhe koha nuk pret.
Përtej pakënaqësive midis palëve brenda PD-së, është jetike për vendin që ky ngërç të tejkalohet sa më parë në forcën kryesore të opozitës, sepse ndërkohë që ne nuk kemi nisur ende organizimin, Partia Socialiste e ka nisur fushatën. Përsëritja e gabimeve të së shkuarës do të ishte edhe më fatale, pasi qytetarët më shumë se kurrë, kanë nevojë të përfaqësohen nëpërmjet opozitës në institucionet e pushtetit vendor, sepse është e qartë për të gjithë që kjo mazhorancë nuk ka asgjë për të ofruar dhe vetëm çorganizimi ynë, lejon qëndrimin e saj në pushtet!
Ndaj mbështes qëndrimin e demokratëve të Mirëditës dhe urojë që ky vullnet i mirë, të përhapet në gjithë Shqipërinë.
Inkurajojë gjithashtu të gjitha forcat opozitare të organizohen një orë e më parë, për të gjetur pikat e bashkëpunimit, të bazuara mbi vlerat e përbashkëta dhe ambiciet për të përfaqësuar sa më mirë qytetarët shqiptarë, duke i dhënë fund monopolit antidemkratik të mazhorancës aktuale moniste. Si një politikan me një përvojë të gjatë, që në asnjë moment nuk kam vendosur interesat për pushtet mbi qëllimet e përbashkëta, ndjejë përgjegjësinë qytetare që të hedhë një hap në drejtim të bashkimit të opozitës në funksion të zgjedhjeve vendore, duke mbështetur rezolutën e demokratëve të Mirditës si një platformë që i vlen të gjitha partive opozitare”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post