Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, ndau disa përshtypje nga vizita e tij në Uashington, ku pati takime me kongresmenë dhe politikanë të tjerë të lartë.
“Në takime të veçanta me secilin nga miqtë e Shqipërisë, ndamë shqetësimin për gjendjen e demokracisë tek ne, për rritjen e autokracisë, arbitraritetit të qeverisë dhe përkeqësimin e standardeve të lirisë dhe të drejtave të njeriut. Korrupsioni në Shqipëri është i papranueshëm dhe një çështje që duhet marrë shumë seriozisht”, shkruan Këlliçi.
Postimi i plotë:
“Kënaqësi e privilegj të isha i ftuar në Capitol Hill në Uashington DC, ku pata mundësinë të takoj Kongresmenë dhe përfaqësues të shquar të politikës amerikane, që e duan Shqipërinë dhe çmojnë partneritetin me Partinë Demokratike. U ndjeva i nderuar nga mikpritja dhe dashamirësia e miqve tanë Amerikanë, të cilët kishin një vlerësim maksimal për Partinë Demokratike dhe rolin e saj në forcimin e partneritetit midis vendeve tona.
I jam mirënjohës për kohën dhe vëmendjen e tyre Anëtarëve të Kongresit Amerikan:
Tim Walberg, Republikan – Miçigan
Robert Aderholt, Republikan – Alabama
Jeff Duncan, Republikan – Karolina e Jugut
John Moolenaar, Republikan – Miçigan
Louie Gohmert, Republikan – Teksas
Nicole Malliotakis, Republikane – Nju Jork
Gus Bilirakis, Republikan – Florida
Joe Wilson, Republikan – Karolina e Jugut
Morgan Griffith, Republikan – Virxhinia
Mark Green, Republikan – Tenesi
Brian Fitzpatrick, Republikan – Pensilvani
Michael McCaul, Republikan – Teksas
Lucy McBath, Demokrate – Xhorxhia
Conor Lamb, Demokrat – Pensilvani
si dhe ish Kongresmenëve:
Robert McEwen, Republikan – Ohajo
Tony Hall, Demokrat – Ohajo
Lincoln Davis, Demokrat – Tenesi
Patrick Murphy, Demokrat – Pensilvani, ish zv. Sekretar i Ushtrisë Amerikane dhe veterani i parë i luftës në Irak, i zgjedhur si Anëtar i Kongresit.
Në takime të veçanta me secilin nga miqtë e Shqipërisë, ndamë shqetësimin për gjendjen e demokracisë tek ne, për rritjen e autokracisë, arbitraritetit të qeverisë dhe përkeqësimin e standardeve të lirisë dhe të drejtave të njeriut.
Korrupsioni në Shqipëri është i papranueshëm dhe një çështje që duhet marrë shumë seriozisht.
I sigurova miqtë tanë se Partia Demokratike është e angazhuar në betejë për ruajtjen e demokracisë dhe vlerave të lirisë, si aseti më i madh publik në një vend me orientim e vokacion pro-Perëndimor dhe se Partia Demokratike, ka qenë në 32 vitet e fundit dhe do mbetet edhe në 100 vitet e ardhshme promotor kryesor i miqësisë dhe bashkëpunimit të Shqipërisë me SHBA.
Patëm dakordësinë se qëndrimet e vërteta dhe transparente të miqve dhe partnerëve amerikanë dhe europianë do ta ndihmojnë Shqipërinë për daljen nga udhëkryqi.
Kapja e drejtësisë nga qeveria përmes një reforme të njëanshme dhe me axhendë, nuk i shërben qytetarëve dhe interesit publik.
Qëndrimet e sponsorizuara pro-qeveritare të disa zyrtarëve nuk ndihmojnë, përkundrazi thellojnë krizën.
Në këto kushte, mora mbështetjen e miqve tanë se një opozitë e fortë, e pakapur dhe që lufton çdo ditë kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, është rruga më e mirë për t’i shërbyer vendit dhe marrëdhënieve jetike që kemi me partnerin e çmuar strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, mora garancinë se vëmendja ndaj zhvillimeve në Shqipëri, do të rritet nga ana e tyre, si dhe përpjekjet për të parë realitetin në sy, ashtu siç është, të padeformuar nga faktorë të ndryshëm”, shkruan ai.
Diskutime rreth kësaj post