Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka pritur në një takim ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf.
Në fokus të takimit ishin prezantimi dhe njohja e ambasadorit me prioritetet, objektivat dhe vizionin që Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka për krijimin e një impakti sa më pozitiv tek qytetarët, si dhe strategjinë për thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë e në veçanti me ata strategjikë.
“Ju falënderoj për vizitën dhe për mbështetjen e deritanishme që i keni dhënë Policisë së Shtetit. Jam i bindur se kjo mbështetje do të thellohet akoma më shumë në vijim. Ju siguroj, zoti ambasador, se jam i vendosur për ta ndryshuar vizionin dhe metodologjinë e punës së strukturave policore, me qëllim vendosjen e një standardi të ri në raport me qytetarët, me partnerët dhe në luftën ndaj krimit të organizuar. Po krijojmë mekanizma të menaxhimit të burimeve njerëzore, me qëllim eleminimin e abuzivitetit dhe arbitraritetit, për t’u dhënë strukturave policore mundësinë e drejtimit nga njerëz profesionistë dhe të ndershëm, çka do të sjellë ndryshimin e impaktit në publik, sepse jam i bindur se perceptimet dhe impaktet ndryshohen me punë e rezultate dhe jo me emra. Forcimi i marrëdhënieve me partnerët, konkretisht me BKA-në dhe Policinë Federale të Gjermanisë do të thellohet akoma më shumë, duke pasur në themel besimin reciprok, profesionalizmin dhe përkushtimin”, deklaroi Rrumbullaku.
Diskutime rreth kësaj post