Çmimet e artikujve themelore të shportës që përfaqësojnë artikujt bazë ushqimore në një familje janë rritur me shpejtësi këtë vit sidomos pas luftës në Ukrainë. Për disa artikuj rritja po nxitet edhe nga faktor të brendshëm.
Të dhënat e INSTAT mbi ndryshimin mujor të çmimeve tregojnë se, gjatë gushtit pati një rritje me agresive të çmimeve të mishit, peshkut, bulmetit dhe zarzavateve ne raport me korrikun.
Çmimet e bulmetit ishin 4.7 për qind më të larta se në, korrik 2022, ndërsa në krahasim me gushtin e vitit të kaluar ishin 22.3 për qind më të larta. Pas bulmetit rritja mujore e çmimeve ka qenë e fortë për produktet e mishit peshkut dhe zarzavateve.
Rritja e çmimeve në këto produkte në muajin gusht u nxit nga dy faktorë themelorë. E para lidhet me reduktimin e numrit të bagëtive dhe prodhimin më të pakët në treg, ndërsa arsyeja e dytë lidhet me kërkesën e lartë si pasojë rritjes së konsumit. Në gusht miliona turistë dhe emigrantë vizitojnë vendin, duke ndikuar në rritjen e konsumit në artikujt kryesor të shportës. Gjatë këtij muaji u vu një rritje me e fortë në çmimet e mishit dhe peshkut.
Siç shihet nga grafiku bashkëngjitur çmimet e vajit dhe yndyrave në muajin gusht ishin 28.8% më të larta se muajin gusht të vitit 2021, por në krahasim me muajin korrik të këtij viti ato pësuan ulje me 1 për qind.
Çmimet e bukës dhe drithërave kanë qëndruar stabël prej tre muajsh, ndërsa shihet se në gusht pati një rritje të çmimeve të zarzavateve me 4.7 në krahasim me muajin korrik, si pasojë e rritje së kërkesës nga turizmi dhe kërkesës për eksport.
Operatorët kryesorë të tregut lajmëruan se edhe për periudhën në vijim rritja e çmimeve do të jetë më e dukshme për produktet e bulmetit dhe qumështit. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2021 numri i gjedhëve shënoi rënie ,me 7.25 ose 26 krerë lopë më pak se në vitin 2020. Në Shqipëri numri i kafshëve që prodhojnë qumësht është përgjysmuar gjatë dekadës. Pas luftës në Ukrainë edhe Europa po përballet me rënie të numrit të bagëtive si pasojë e rritjes së kostove në ferma.
Çmime e larta kanë rënduar se tepërmi kostot e jetesës, Shqipëria ka 30 për qind të popullsisë në varfëri relative që jeton më pesë USD në ditë niveli më i lartë në rajon (2021).
Gati 30 për qind e të punësuarve me pagë që deklarohen në tatime kanë të ardhura 30 mijë lekë në muaj. Shqipëria kishte produktivitetin më të ulët të punës në Rajon gjatë 2014-2020,sipas Bankës Botërore.
Diskutime rreth kësaj post