Një dekadë më parë, Ministri i Mbrojtjes i atëhershëm izraelit Ehud Barak, vizitonte rregullisht Uashingtonin ku zhvillonte takime me zyrtarë të lartë të administratës Obama. Vëmendja kryesore ishte tek programi bërthamor i Iranit.
Mua më kujtohet ende këshilla e tij e shpeshtë: “Ju thoni se ka kohë për t’u marrë me këtë çështje, por unë kam frikë se do të na thuhet kjo derisa në një moment ta pranojmë të gjithë se “Është tepër vonë dhe nuk mund të bëjmë asgjë përveçse të mësohemi të jetojmë me realitetin e ri”.
Unë isha një nga ata në qeverinë e SHBA-së që e siguroja se ne nuk do ta lejonim që të ndodhte kjo gjë. Megjithatë, tani që Rafael Grossi, drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), po deklaron se programi bërthamor iranian “po ecën më shpejtësi përpara”, druaj se fjalët e Barak mund të kenë qenë profetike.
Irani zotëron tani një sasi të madhe uranium të pasuruar në nivelin 60 për qind – afër shkallës së prodhimit të armëve – dhe vazhdon që të instalojë dhe vendosë në punë centrifuga të avancuara, që mund ta pasurojnë atë shumë më shpejt sesa centrifugat e gjeneratës së parë IR-1.
Baza e programit bërthamor iranian ka përparuar shumë shpejt dhe përtej nivelit ku do të kishte qenë nëse Teherani do të respektonte ende kufijtë e marrëveshjes bërthamore të
Iranit, e njohur edhe si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).
Nga ky këndvështrim, vendimi i ish-presidentit të SHBA Donald Trump për t’u tërhequr nga JCPOA, krijoi justifikimin që Irani të ecë përpara më këtë program. Ndërkohë fushata e “presionit maksimal” gjatë presidencës Trump dështoi. Qasja e dështuar e ish-presidentit ndaj programit bërthamor të Iranit, i la presidentin aktual Joe Biden një trashëgimi shumë të vështirë.
Por as politika e Biden nuk ka pasur sukses deri më sot. Gjatë 18 muajve të fundit, programi bërthamor iranian është përshpejtuar dhe ka përfshin sasi të mëdha të materialit të pasuruar të grumbulluar dhe dy artikuj (uraniumi i pasuruar në nivelit 60 për qind dhe prodhim të metalit të uraniumit) që sërish sipas Grossi nuk kanë “të justifikueshme për qëllime civile”.
Kjo të thotë se edhe nëse rikthehet në fuqi të plotë JCPOA, edhe pas vitit 2030 Irani do të ishte në gjendje të ecte me shpejtësi drejt prodhimit të bombës bërthamore, gjithnjë në rast se udhëheqësit iranianë nuk arrijnë ta besojnë faktin se kostoja për ta bërë këtë është shumë e lartë.
Unë e kuptoj dëshirën e administratës Biden për t’u kthyer tek JCPOA. Ky pakt do të pengonte përparimin e programit bërthamor të Iranit, do t’i kërkonte atij ta dërgonte diku tjetër tepricën e uraniumit të pasuruar që Teherani ka rezervuar (19 herë mbi kufijtë e JCPOA), do të ruante vlerën e uraniumit të pasuruar në 3.67 për qind, dhe do t’i jepte fund prodhimit të metali të uraniumit si dhe çmontonte centrifugat e saj të avancuara.
Por tashmë Irani ka përvetësuar shumë njohuri mbi armët bërthamore, prandaj është një shtet që është shumë pranë prodhimit të armës bërthamore. Dhe kur të marrin fund kufizimet cilësore dhe sasiore që përcakton JCPOA për programin e tij bërthamor në fund të vitit 2030, Teherani do t’i duhet pak kohë për të prodhuar armën.
Dhe një JCPOA e ringjallur vetëm sa blen kohë deri në atë moment. Ai do ta shtynte kërcënimin bërthamor iranian, por nuk do t’i jepte fund atij. Rrjedhimisht, shumë gjërat do
të varen nga mënyra se si Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët e përdorin kohën e blerë.
Uashingtoni duhet ta shfrytëzojë këtë kohë për të hedhur disa hapa, të cilat do të rrisin në mënyrë të besueshme kostot në sytë e Iranit për lëvizjen drejt një arme bërthamore pas vitit 2030, së bashku me shtimin e kërcënimeve në rajon. Kjo nuk do të jetë një detyrë e thjeshtë, pasi edhe Irani gjithashtu do ta përdorë këtë kohë – dhe qindra miliarda dollarë që mund të fitojë potencialisht gjatë pjesës së mbetur të JCPOA – për të forcuar milicit e saj në rajon, për të ndërtuar më tej arsenalin e vet të raketave balistike, dhe për të forcuar infrastrukturën e tij bërthamore, për ta bërë atë më pak të prekshme ndaj sulmeve.
Në këtë pikë, qëndrimet e fundit të zyrtarëve iranianë, duket se i kanë bërë më pak shpresëplotë ndërmjetësuesit e BE-së për arritjen e një marrëveshjeje të rishikuar të JCPOA. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi më 5 shtator: “Më vjen keq të them se sot jam më pak i sigurt se 28 orë më parë mbi perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje”.
Një gjë është e sigurt: udhëheqësit iranianë nuk e shqyrtuan si përfundimtar “propozimin përfundimtar” që ua paraqiti iranianëve dhe amerikanëve Bashkimi Evropian. Ata e trajtuan si të negociueshëm, duke e pranuar, por me disa kushte.
Pika e parë premtonte heqje të sanksioneve mbi bizneset iraniane që bëjnë biznes me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike. E dyta kishte të bënte me të drejtën e Teheranit për të rifilluar të gjitha aspektet e programit të tij bërthamor, nëse qeveria amerikane tërhiqej sërish nga JCPOA.
Kjo do të thotë se pasurimi i uraniumit në nivelin nën 60 për qind dhe prodhimi i metalit të uraniumit, që nuk kanë qëllime të justifikueshme civile, do të pranoheshin zyrtarisht. Por nëse Irani i shpëton edhe një herë çdo përgjegjësie për veprimet e ndaluar, mund të jetë shumë e vështirë të sigurohet që ai të mos ketë një program bërthamor të fshehtë.
Bota jo vetëm që nuk e di se çfarë ka bërë Irani në 3 bazat e padeklaruara. Por për shkak se IAEA nuk ka pasur për muaj të tërë qasje në kamerat e saj të monitorimit në bazat e deklaruara, mund të ketë pasur një devijim të materialeve të pasuruara drejt vendeve sekrete, për të cilat agjencia nuk ka dijeni.
Natyrisht, Shtetet e Bashkuara mund të refuzojnë kushtet e Iranit, dhe në fund mund të mos ketë asnjë marrëveshje. Por nëse ndodh kjo, çfarë është e përgatitur të bëjë administrata Biden për të ndaluar përparimin e programit bërthamor iranian?
Qasja aktuale do ta detyronte Uashingtonin të shtonte presionin ekonomik përmes zbatimit më të rreptë të sanksioneve. Për shembull duke e bërë më të vështirë që Irani të shesë naftën e tij, dhe duke i ndëshkuar vendet që shkelin sanksionet dhe e blejnë naftën iraniane.
Por është e paqartë se sa të përgjegjshëm do të jenë kinezët, sidomos tani, në një kohë që Shtëpia e Bardhë mund të mos jetë e prirur të mbajë naftën iraniane jashtë tregut global, duke pasur parasysh çmimet e rritura. Për më tepër, vetëm kostoja ekonomike mund të mos mjaftojë për t’i bindur udhëheqësit iranianë të heqin dorë nga ajo që duket se ata duan: ose të kenë aftësi të prodhojnë armë bërthamore ose të jenë një hap larg zotërimit të një arme
të tillë.
Përfundimi është se pa një marrëveshje, Irani do t’i afrohet më shumë prodhimit të bombës. Dhe për fat të keq, në komunitetin e politikës së jashtme ka zëra që tashmë sugjerojnë – ashtu siç parashikoi dikur Barak – se Irani nuk mund të ndalohet më nga zhvillimi i një arme bërthamore, dhe se bota duhet thjesht të mësohet të bashkëjetojë me të.
Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, ka deklaruar se nëse Irani pajiset me armë bërthamore, edhe mbretëria do të ketë armë të tilla. A do të mbeten shumë prapa Egjipti dhe Turqia?
Ata që ngushëllohen me përvojën e Luftës së Ftohtë, dhe “ekuilibrin e terrorit” që ekzistonte midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, duket se mendojnë se e njëjta logjikë do të zbatohet në Lindjen e Mesme.
Por ata anashkalojnë të paktën dy faktorë. Së pari, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Bashkimi Sovjetik, kishin aftësi të sigurta për goditjen e dytë, pra nuk mund të pengoheshin të hakmerreshin me forcat e tyre bërthamore edhe nëse goditeshin fillimisht nga kundërshtari.
Ndërkohë në Lindjen e Mesme, përveç Izraelit – që thuhet se ka aftësinë për të lëshuar raketa bërthamore nga nëndetëset – do të duheshin vite për të zhvilluar aftësitë kundërgoditëse, duke i lënë forcat e tyre bërthamore shumë të prekshme ndaj një sulmi parandalues.
Së dyti, edhe me të ashtuquajturin “realitet të shkatërrimit të sigurt reciprok”, bota iu afrua shumë një kataklizme bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë. Përveç Krizës së Raketave Kubane, e cila e solli njerëzimin shumë më afër një lufte bërthamore si asnjëherë më parë, është tashmë i njohur rasti kur sovjetikët e keqkuptuan një stërvitje të NATO-s në shkallë të gjerë gjatë vitin 1983, duke besuar se ai ishte preludi i një sulmi bërthamor. Vetëm fati na shpëtoi asokohe nga lufta bërthamore.
Në këto kushte duhet së pari të ndryshojë qëndrimi publik i Uashingtonit. Sekretari amerikan i Shtetit duhet të shpjegojë politikën e SHBA-së, dhe t’i shpjegojë publikut pse është e domosdoshme që Irani të mos pajiset me armë bërthamore.
Së dyti, forcat amerikane duhet të kryejnë stërvitje me Komandën Qendrore të SHBA-së që të provojnë operacionet ajër-tokë kundër objektivave ushtarake iraniane, nëse këtë e imponon situata.
Së treti, Uashingtoni duhet të vazhdojë të përmirësojë mbrojtjen e partnerëve të tij rajonalë kundër sulmeve me raketa dhe dronë iranianë. Dhe së fundmi, Pentagoni duhet të përshpejtojë dërgimin e cisternave të karburantit KC-46 në Izrael për shkak të aftësisë së tij për të goditur me saktësi infrastrukturën bërthamore të Iranit.
Marrë me shkurtime
Shënim:Dennis Ross, bashkëpunëtor në Institutin e Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Mesme, dhe lektor në Universitetin Xhorxhtaun. Ka mbajtur poste të larta në lidhje me sigurisë kombëtare në administratat e Reagan, George H.W Bush, Clinton dhe Obama.
Diskutime rreth kësaj post