Nga: Agim Baçi
Çfarë duhet të bëjmë me fëmijët tanë nëse familja dhe shkolla nuk duket se janë më tërheqëse për atë që u themi sot? Çfarë duhet të bëjmë kur shumë mësues nuk dinë më se çfarë të bëjnë me nxënësit lidhur me shpjegimin e asaj çfarë është më e rëndësishme në jetë dhe kur shumë familje janë në alarm për rezultatet e prindërimit dhe për vështirësinë që hasin kur duan të shpjegojnë çfarë është “e mirë” – “e keqe”, apo “e lejuar” – “e palejuar”?
A po mendojmë ne se si të sillemi me fëmijët teksa fuqinë e komunikimit në familje e shkolla e ka marrë tregu i zbavitjes dhe konsumit, një treg që plak gjithçka brenda një kohe të shkurtër, duke krijuar një botë të pafundme ankthi te ata që i besojnë vetëm këtij tregu?
Filozofi dhe psikoanalisti i famshëm italian, Umberto Galimberti, prej vitesh ka ngritur alarmin për komunikimin e vështirë që kanë sot prindërit me fëmijët e tyre adoleshentë, pasi, sipas tij, shumë fëmijë kanë sot një fjalor të mangët shpjegimi për gjendjen e tyre emocionale, ndërkohë që vetë prindërit kanë në mendje ende edukimin nga etërit e tyre. Edhe më të vështirë e kanë komunikimin ata prindër që janë rritur me një komunitet që ka bashkëvepruar, që ka folur e lozur me njëri-tjetrin në moshën e fëmijëve të tyre, dhe tashmë gjendet përballë fëmijëve që qëndrojnë gjithnjë e më shumë vetëm dhe që kanë thuajse gjatë gjithë kohës kufje në vesh ku mund të jenë duke dëgjuar muzikë apo duke ndjekur video.
Ashtu siç edhe rezulton prej kohësh frika se mund të jenë duke admiruar rrugën më të shkurtër për t’u bërë të famshëm dhe me para, si personazhet që ata dëgjojnë e shohin gjatë kohës me vetminë e tyre. Por, kushdo që mendon se kjo situatë është thjesht individuale e fëmijës së tyre, apo vetëm e shoqërisë shqiptare, rrezikon të gjykojë gabim e të prishë urat e komunikimit me to. Një situatë e tillë ka nevojë për një debat sa familjar e shkollor aq edhe mbarëkombëtar, ku të mos i hapim udhë lumit të pesimizmit, pasi në një lumë të tillë nuk dërgon asnjë varkë në një breg zgjidhjesh. Në lumin e pesimizmit dhe moskumunikimit fiton vetëm ankthi i përkohshmërisë, vetëm zemërimi dhe frika. Ndërkohë që ne të gjithë e dimë se ajo që e mban fillin e fortë mes nesh është besimi dhe dashuria, është empatia dhe solidariteti.
Ne si prindër duhet të kuptojmë se premtimi që na është bërë ne si brez dikur për një të ardhme më të mirë, nuk vlen me të njëjtën gjuhë me fëmijët e sotëm, të cilët janë të kërcënuar nga “droga e famës”, nga ethet e pasurimit të shpejtë, që në fund rezultojnë një amfiteatër vuajtjesh dhe padurimi. Nën ndikimin e spektaklit dhe konsumit dhe të kërcënuar gjithnjë e më shumë nga rezultati dhe jo nga qëllimi i asaj që bëjnë, fëmijët do e kenë gjithnjë e më të vështirë të përcaktojnë emocionalisht kufijtë e kënaqësisë për atë që kanë dhe për atë që duan të bëjnë me jetët e tyre. Mungesa e qëllimeve për të nesërmen e ka kthyer tanishmërinë në një diktaturë padurimi.
Ne të gjithë prej kohësh shohim se si ndeshen të rinjtë me pyetësorë pa fund, me sondazhe që kërkojnë përgjigje të ngutshme dhe dhënie opinionesh, me statistika dhe kërkimet të tregut. Po kështu, thuajse çdo prind është përballur me emocionet që shkaktojnë te fëmijët rrëfime individuale në programe të përditshme televizive e sidomos në video të shpërndara, përfshi këtu deri ne limitet e fundit te intimes.
Këto projekte e emisione i kthejnë të rinjtë në një gjah të konsumit të së sotmes, pa pasur fuqi të mendojnë për nesër, pa mundur të ëndërrojnë. Nën këtë presion, shumë fëmijë nuk e kuptojnë dot që, ajo që duhej të ishte vetëm e tyrja, është e gjithë publikut, pasi është bërë pjesë e show-t, duke u shpërndarë, pa ditur se kjo i bën më pas ata të pafuqishëm për t’iu kundërvënë makthit të spektaklit. Eshtë përgjegjësia jonë, në shtëpi e shkollë, t’u themi se informacioni nuk është mençuri, por thjesht një mundësi. Duhet t’i themi me qetësi se është reflektimi ndaj asaj që shohim që mund të na japë më shumë dritë në atë që duam të ndjekim, dhe jo eksitimi i gjithanshëm që sugjeron bota e spektaklit. Përndryshe, nëse nuk ua themi hapur, do kemi murin e indiferencës së tyre ndaj asaj që do u kërkojmë më pas.
Ky mur indiference, zemërimi dhe nervozizimi që shfaqin të rinjtë mund të shembet nëse vendosim ura të vërteta bashkëbisedimi, pa u ankuar për atë që nuk kemi patur ne në kohën tonë dhe pa dramatizuar atë qe ata na kërkojnë ata për shkak se janë bijë të kohës së tyre. Dhe, siç shkruan dhe Galmberti në librin e tij, “Bujtësi turbullues”, për të kuptuar sa të rëndësishme janë në jetë raporti me humbjen, zgjidhja e konflikteve, solidariteti dhe empatia, duhet që të mos lejojmë që për fëmijët tanë të jetë baby-sitter televizioni apo aparati celular.
Nëse nuk arrijmë dot të ndërtojmë pyetjet e duhura në familje e shkollë, nuk ka pse, më pas, të bëjmë si të tmerruar nga dhuna që pason shoqërinë tonë, nga cinizmi i të rinjve, të cilët pa përgjigjet e bazuara te fuqia e dashurisë dhe besimit, do zgjedhin atë të talljes, të vënies në lojë dhe të zemërimit dhe ankthit.
Nëse nuk i drejtojmë sytë nga dashuria, nëse zemrën e tyre e lëmë në dorë vetëm të rezultatit dhe arsyes, atëherë duhet të llogarisim se mund të jetojmë në mbretërinë e indiferencës së tyre jo vetëm për ne, por për gjithçka rrotull tyre. Ndaj, le të mos ngurojmë që t’u themi fëmijëve se, nëse ke një zemër të ndjeshme, nuk është dobësi, por është forcë për të kuptuar. Le t’u themi me forcë fëmijëve tanë se, të kesh sa më pak rroba në trup, të të duket më shumë nga lakuriqësia jote, nuk do të thotë se je i hapur ndaj të tjerëve. Natyrisht, të lakuriqësosh shpirtin është më e rëndë se sa të lakuriqësosh trupin. Por ne duhet të këmbëngulim që ata të dinë se, të heqësh gardhin e turpit nuk do të thotë se me tjetrin je kuptuar. Përkundrazi, mund të lëndosh ata që të kanë menduar të jenë të afërt, pasi rënia e murit të turpit për intimen është jo vetëm humbje e dinjitetit por njëkohësisht edhe përjashtimi i atyre që na duan dhe duam nga të qenurit për ta dhe me ta.
Diskutime rreth kësaj post