Nga: Artan Fuga
Shiheni mirë, shiheni mirë, mos përsërisim ato që i kemi mësuar si vjersha në vegjëli! Mos kemi iluzione optike,
nuk është shqiponjë me dy koka, nuk është shqiponja dykrenore, është një shqiponjë e vetme, me kokën e ndarë simetrikisht në dy anë, në mes!
Se “dykrenore” përafrohet semiotikisht shumë afër me “krenare”, pra “dykrenare”, ose “dy herë krenare”, ndaj edhe iluzioni gjuhësor i pëlqyeshëm na bën ta shohim sikur është me dy krena jo me një kokë, por të ndarë në mes!
Për t’u bindur zbriteni vështrimin më poshtë në kraharor dhe në barkun e shqiponjës sonë madhështore!
Nuk ka dy kraharorë, as dy barqe, por çarja e kokës në mes i vazhdon poshtë duke i çarë kraharorin dhe barkun!
Po të kishte dy kokë do të kishte edhe katër krahë dhe katër këmbë!
Nuk ka dy koka sikur të ishte ndonjë viç mutant ta zemë në Elbasan sikurse ka pasur raste të lindin!
Shqiponja jonë madhështore në flamur sipas meje nuk është një zog që gjoja sheh nga Lindja dhe nga Perëndimi, këtej dhe andej, nuk do të thotë gjë edhe se vjen nga simbole të Bizancit të lavdishëm, të tjera ato, duken si njësoj, kanë huazime, por asfare të njëjta, shiheni mirë, shiheni, se syri sheh ç’i thotë mendja, dhe mendja mendon atë që i ka futur në kokë propaganda!
Zogu ynë është madhështor sepse është absolutisht simetrik, nga çdo kënd i syrit ta shohësh, simetri perfekte, pa asnjë relief, shpirt pa mish, pa kocka, jo me dy krena, por me kokën e hapur në mes!
Simbolet e mëdha mitike kështu janë, tragjikë, janë midis së gjallës dhe të vdekurës, midis shkatërrimit dhe ribërjes, midis lavdisë dhe rënies në humnerë, edhe shqiponjë që shpalos flatrat, edhe me kokë të çarë.
Kështu fluturon shqipja jonë simbolike, horizonteve me kokën e çarë, përpëlitet, çorientohet, përsëri vazhdon, kokën e çarë lart!
Ky është tragjizmi i simbolit tonë në flamur, prandaj na tërheq si magnet ai flamur, na drithëron, e keni parë?
Nuk është thjesht zogu me dy koka atje, është vuajtja, përpëlitja, tragjikja, e madhështores në një të vetme!
Ja pse Indianët nuk e hanë lopën e shënjtë, shqiptarët mishin e shqiponjës, etj! E vjetër shumë kjo histori! E vrarë, por vrasësit të përulur përballë vrasjes së bërë.
Si ta them, në antropologji dihet si buka që hamë se popujt e lashtë e vrisnin, çanin totemin e shenjtë, pastaj në vend ta hanin, pendoheshin, i binin në gjunjë dhe e qanin për jetë e mot!
Shiheni mirë, shiheni!
Nuk ka fare lidhje çfarë ka menduar ky apo ai kur e krijoi e vuri në këtë formë në flamur.
Rëndësi ka përse tërheq audiencën si magnet! Rëndësi nuk ka piktori, por audienca që e sheh pikturën!
Diskutime rreth kësaj post