Kryeministri i vendit Edi Rama, ka paralajmëruar një aksion gjithë përfshirës në Shqipëri për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, ky vendim i qeverisë u bë publik dy ditë më parë nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Kjo e fundit bëri me dije se ndërtesat pa leje, do të konfiskohen për përdorim publik dhe do t’i jepen si kompensim qytetarëve që preken nga projekte publike.
Gjithashtu do të përdorën si fonde për të shpronësuar qytetarët që gjithashtu preken nga projektet publike.
Rama, ditën e sotme nga Zall Herri deklaroi se Tirana ka numrin më të vogël të ndërtimeve pa leje, krahasuar me zonat e tjera në Shqipëri, veçanërisht ato në bregdet.
Kryeministri gjithashtu, bëri me dije se do të ketë kontrolle çdo 45 ditë, në mënyrë që të parandalohet ndërtimi pa leje.
Rama: “Ne do ta shtrëngojmë ligjin, do vendosim kontrolle të detyruara çdo 45 ditë në mënyrë që katet mos hidhen dhe pastaj kur shikohen është vonë. Më e rëndësishmja nga të gjitha është që ky është një operacion i cili do të shtrihet në gjithë Shqipërinë. Tirana ka problematikën më të vogël në këtë drejtim. Ka vende të tjera që kanë problematika më të mëdha. Nëse ne duam ta çojmë në zero rritjen e volumeve të ndërtimeve pa leje në Tiranë, mund të duket paradoks por e kemi më të lehtë sepse sasi në raport me gjithë pjesën e ndërtuar ligjërisht është e vogël. Kur e nisëm ishte marramendëse. Ka zona të tjera, sidomos në bregdet ku ka goxha punë për të bërë. Ajo që keni parë është vetëm fillimi i një procesi. Populli do marrë pjesën e vet. Është pjesa që i takon si taksa pagues. Është detyra e policisë së shtetit. Ajo që është fatkeqësi, është që janë persona të implikuar dhe me bekim të shefave të komisariateve. Nuk ka asnjë mundësi tjetër në botë”, shprehet Rama.
Diskutime rreth kësaj post