Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi në Berat se Shqipëria nuk është çifligu i Edi Ramës dhe i askujt tjetë, por është e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ai i bëri thirrje bazës së PL në Berat të shndërrohet në misionare të së vërtetës, në mbrojtje të interesit publik e kombëtar.
“Ne do ia marrim të gjitha pushtetet Edi Ramës dhe do ta vendosim para drejtësisë, me ligjet e tij, me firmat e tij dhe kjo histori ka përfunduar. Gjithë përpjekjet e tij, se ky ka bërë kështu, ky ashtu, do heq Saliun, Ilirin, i bën për një arsye, problemi i tij është t’u japë zemër bedelave të tij në administratë që ata të vazhdojnë të vjedhin e ky të mos shkojë në burg. Është kleptoman, është një hajdut dhe e ka për kënaqësi kur të tjerët vuajnë, kur të tjerët humbasin jetën pse nuk paguajnë një faturë energjie. Për evazorët e tij nuk ka asnjë problem se i ka dalë ky për zot atyre.
Ndaj në këto momente historike për vendin, për demokracinë ju ftoj të shndërroheni në misionarë të së vërtetës, në mbrojtje të interesit publik dhe kombëtar. Duhet këtu në bashkinë e Beratit përditë të jeni në investigim të korrupsionit që ndodh këtu, të problemeve të qytetarit, këtë duhet të bëjnë përfaqësuesit dhe drejtuesit e Partisë së Lirisë. Kur bëhet një gjë e mirë ta vlerësojmë”, tha Meta.
Ai tha më tej se e vetmja pengesë që t’i marrim fatet tona në duar menjëherë është presim nga dikush tjetër të bëjë punën që duhet të bëjmë ne.
“U bënë 60 bashki me idenë e rregullimit të administrimit, me idenë e uljes së administratës, me idenë e rritjes së shërbimit dhe e dini çfarë ka ndodhur, katastrofë me administratën, mijëra njerëz më shumë vetëm për qëllime elektorale. Përveçse prioriteteve se si investohen taksat lokale të qytetarëve.
Kam shumë besim se PL në Berat do të jetë një frymëzim për të gjithë opozitën dhe ju ftoj të bashkëpunoni me të gjithë opozitarët e vërtetë në qytetin e Beratit. Të hapemi sa më shumë, të bashkëpunojmë sa më shumë me komunitetin dhe të mos ndalim asnjëherë luftën tonë për të rikthyer shpresën dhe besimin e qytetarëve se zotër të fateve të tyre janë ata vetë. E vetmja pengesë që t’i marrim fatet tona në duar menjëherë është presim nga dikush tjetër të bëjë punën që duhet të bëjmë ne.
Bashkëpunim me të gjithë, përfshirë dhe socialistët që ndihen të turpëruar me atë që ndodh në vendin tonë.
Edhe socialistët e shohin e ndjejnë si po thahen qytetet e fshatrat tona nga rinia, më keq se në ’90- ’91”, deklaroi Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë theksoi më tej se të gjithë e kuptojnë që jemi në një moment të jashtëzakonshëm që vë në pikëpyetje ekzistencën e kombit tonë, që do të marrë një përgjigje të prerë dhe të gjithë ata që ndërmorën veprimet do të bëhen shembull për 200 vitet në vijim. “Kemi humbur 10 vite, por do të shpëtojmë 200 vitet që vijnë. Kryefjala jonë është referendumi. Në Shqipëri do të rikthehet gara, konkurrenca, meritokracia dhe të gjithë ata të rinj që në vitet e fundit ikën jo se u zhgënjyen nga Rama, por që e ndjenë veten të tradhtuar nga opozita. Sot opozita është në sheshet e vendit në përballje me këtë klikë që do ta mposhtim e që do të përgjigjet”, u shpreh Meta.
Diskutime rreth kësaj post